Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tema nga radio rrjeti evropian "Euranet Plus"

Ivo Ivanov: Nëse Vladimir Putin ka fatin të shkojë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, e pret burgu, por jo vdekja

Foto: Rojters

Urdhri i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për arrestimin e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, tregon se tani e tutje ai nuk është në asnjë mënyrë legjitim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kështu ka deklaruar Ivo Ivanov nga Shoqëria Gjeopolitike Bullgare në një koment për rubrikën “Euranet Plus”.

Nëse ai ka fatin të shkojë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ai me siguri do të përballet me burg, por jo me vdekje”. Urdhri tregon vetëm një gjë - se jepet një sinjal i qartë se tani e tutje Vladimir Putin nuk është në asnjë mënyrë legjitim në marrëdhëniet ndërkombëtare, d.m.th. askush nuk do të hyjë zyrtarisht në marrëveshje me të.

"Ky është një sinjal - rrethimi i Putinit duhet të gjejë një mënyrë për të ndarë rrugët me të. A do të shkojë diku jashtë shtetit për t'u bërë mërgimtar, gjë që unë personalisht nuk besoj se do ta bëjë, sepse ai nuk është nga ata që e vendos fatin e vet në duart e të tjerëve, por sigurisht që Putini tani e tutje është diçka që “është nxjerrë para kllapave” dhe Bashkimi Evropian dhe institucionet evropiane duke folur për paraqitjen e tij para Gjykatës, nuk e bëjnë fare formalisht. Pengu është i qartë, kufiri është kapërcyer dhe Putini nuk do të ketë më vend mes liderëve ndërkombëtarë”, shtoi ai.

Vendimi i Hagës erdhi në mars dhe presidenti i Gjykatës Piotr Hofmanski përmendi "paaftësinë e Putinit për të ushtruar kontroll mbi civilët dhe ushtarakët" që i kryejnë veprimet:

Një anëtar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhra për arrest në lidhje me situatën në Ukrainë për Vladimir Vladimiroviç Putin - President i Federatës Ruse dhe Maria Alekseevna Lvova-Belova - Fuqiplotë për të Drejtat e Fëmijëve për shkak të deportimeve të supozuara të fëmijëve. E drejta ndërkombëtare nuk lejon që forcat pushtuese të transferojnë civilë nga territoret e pushtuara në territore të tjera dhe fëmijët gëzojnë mbrojtje të veçantë sipas Konventës së Gjenevës.

Urdhri është "pa asnjë rëndësi", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharova, e cila kujtoi se Rusia "nuk është palë e Traktatit të Romës" ose e traktatit që themeloi Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

"Ne e konsiderojmë vetë formulimin e çështjes si të papranueshëm. Rusia, si një numër vendesh të tjera, nuk e njeh juridiksionin e kësaj gjykate," konfirmoi zëdhënësi i Kremlinit Dmitrij Peskov dhe Kryetari i Dumës së Shtetit Vjaçeslav Volodin e përcaktoi atë si " agresion kundër Rusisë", çdo sulm ndaj presidentit të saj."

Në një koment mbi dokumentin në të cilin ajo përmendej, Maria Lvova-Belova shkroi se është "shumë mirë që komuniteti ndërkombëtar" e vlerëson "këtë punë për të ndihmuar fëmijët" - "që ne nuk i lëmë ata në zona lufte; që i nxjerrim; që t'u krijojmë kushte të mira; se ne i rrethojmë me dashuri.”

"Sipas Konventës së Katërt të Gjenevës, në të cilën Rusia është palë, është e paligjshme të zhvendosësh fëmijët në vendin tënd gjatë një konflikti," saktësoi Nathaniel Raymond, drejtor ekzekutiv i Laboratorit për Studime Humane në Universitetin Yale:

Sipas këtyre rregullave, fëmijët në territoret e pushtuara mund të transferohen vetëm në një vend të tretë neutral, por jo në territorin e shtetit okupues. Vetëm për shkak se Rusia e bëri atë, pavarësisht nga kushtet në të cilat mbaheshin fëmijët - kjo është një shkelje e statusit të tyre të mbrojtjes speciale.”

Një hetim penal është duke u zhvilluar edhe në Rusi kundër prokurorit të Gjykatës, i cili ka lëshuar urdhrat e arrestit, Karim Khan:

"Ky është një rast jashtëzakonisht i errët – për herë të parë gjyqtarët në Gjykatën Penale Ndërkombëtare ndiejnë nevojën për të lëshuar një urdhër edhe kundër një lideri, edhe kundër zyrtarëve të lartë të një anëtari të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, të cilët duhej të ishin rojtarë të Hartës së OKB-së.”

Sipas fjalëve të tij, nuk ka afat parashkrimi për krimet e luftës, prandaj urdhri duhet të jetë i vlefshëm edhe pas përfundimit të luftës me Rusinë.

Ne nuk duhet të lejojmë që krimet e agresionit të mbeten pa u ndëshkuar!”, tha Prokurori i Përgjithshëm i Kievit, Andrij Kostin, i cili e përshkroi vendimin e Gjykatës si “historik” – si për Ukrainën ashtu edhe për të gjithë sistemin juridik ndërkombëtar.

Është e pamundur të kryhet një akt i tillë kriminal pa pjesëmarrjen e liderit suprem të shtetit terrorist! Ndarja e fëmijëve nga familjet e tyre, fshehja e fëmijëve në territorin e Rusisë, hedhja e tyre në rajone të largëta - e gjithë kjo është një politikë e dukshme shtetërore e Rusisë dhe një e keqe shtetërore”, shtoi Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, i cili gjithashtu përshëndeti vendimin e Gjykatës. Ai u mirëprit gjithashtu nga një sërë vendesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Gjykata Penale Ndërkombëtare nuk njihet ndërkombëtarisht – as nga ne, por mendoj se ajo bëri një lëvizje shumë të fortë”, tha presidenti amerikan Joe Biden.

U dëgjuan edhe paralajmërime - për shembull, nga homologu i tij serb Aleksandër Vuçiq:

"Unë mendoj se urdhërimi i arrestimit të Putinit, pa u thelluar në çështjet ligjore, do të ketë pasoja të këqija. Kjo tregon mosdëshirën e madhe për të folur për paqen."

Padyshim, synimi është që të vështirësohet komunikimi i presidentit rus me liderë të tjerë, të cilët do të kenë parasysh se po flasin me një person të akuzuar për krime lufte”, tha presidenti i Serbisë, e cila së bashku me Bullgarinë është një nga palët e Traktatit të Romës.

Nëse presidenti Putin viziton ndonjë nga më shumë se 130 vendet që e kanë nënshkruar këtë marrëveshje ndërkombëtare, ai do të arrestohet në secilin prej tyre”, paralajmëroi shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Pyetjes së BNR nëse vendi ynë do të ndalonte liderin rus, presidenti Rumen Radev iu përgjigj:

Ju e dini se marrëdhëniet për momentin midis vendeve anëtare të BE-së dhe Rusisë nuk janë të tilla që të sugjerojnë një vizitë të Presidentit të Federatës Ruse.

Dhe megjithëse Hungaria njoftoi në mars se nuk do ta arrestojë Vladimir Putinin nëse ai hyn në territorin e saj, edhe pse vendi ka ratifikuar Traktatin e Romës, thirrjet nga Brukseli po vazhdojnë:

Ne duhet të koordinojmë përpjekjet tona në hetimin e krimeve ndërkombëtare të kryera në Ukrainë!”, tha Komisioneri Evropian për Drejtësinë Didier Reynders.

"Birësimi si rezultat i rrëmbimit të paligjshëm është një krim. Zyra e Komisionerit të Lartë për Refugjatët në Rusi, si dhe televizioni i pavarur Dozhd, kanë identifikuar jetimë ukrainas në institucionet ruse të fëmijëve. Në disa prej tyre, fëmijët i janë nënshtruar të ashtuquajturit "edukim ushtarako-patriotik", vuri në dukje Komisionerja Evropiane për Vlerat dhe Transparencën Vera Jourova gjatë një debati në Parlamentin Evropian kushtuar rrëmbimit të fëmijëve ukrainas në Rusi dhe të mbajtur vetëm disa ditë pasi më shumë se 30 fëmijë u kthyen me sukses në familjet e tyre në Ukrainë.

Na trajtonin si kafshë! Ishim të mbyllur në ndërtesa të veçanta. Na thoshin çdo ditë se prindërit tanë kanë hequr dorë nga ne”, tha Vitalij, i cili ka qenë në Herson disa muaj, ndërsa 13-vjeçarja Dasha shtoi:

Nga Moska vinin në kamp për të na inspektuar dhe donin që ne të këndonim këngë ruse. Nëse nuk këndonim, na dërgonin te drejtori”.

“Duhej të ngriheshim për himnin kombëtar rus. Në rast të kundërt, shkruheshin shpjegime”, shtoi 15-vjeçari Jura.

Kur Sasha 12-vjeçar ndahet me forcë nga prindërit në Ukrainë dhe vendoset në një kamp burgu rus, ai mendon “askush nuk ka nevojë për mua”, “do të kem një familje të re ruse”. Dhe ka mijëra fëmijë nga Ukraina që, si ai, janë viktima të krimeve të luftës”, tha Ministrja suedeze për Çështjet Evropiane Jesika Rusval gjatë debatit në Parlamentin Evropian.

Vladimir Putin dhe Maria Lvova-Belova duhet të mbajnë përgjegjësi personale dhe politike për këto veprime! Është e turpshme kur një agresor dëshiron të krijojë përshtypjen se po shpëton fëmijët me deportim të paligjshëm! Ky është natyralizim ceremonial i ukrainasve si rusë”, shtoi eurodeputeti gjerman i Partisë Popullore Evropiane Michael Galler nga tribuna, ndërsa kolegu i tij portugez nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve Pedro Marques iu drejtua drejtpërdrejt liderit rus:

Zoti Putin, aq shumë e keni kaluar kufirin me këtë luftë, saqë do të mbaheni mend për më të keqen. Por mos i shtoni një tjetër kapitull të tmerrshëm historisë duke rrëmbyer fëmijë. Ata nuk janë armiqtë tuaj! Ata nuk janë ushtarë! Ata janë fëmijë të pafajshëm, të cilët do të mbeten për gjithë jetën të plagosur nga veprimet tuaja!

Eurodeputeti gjerman nga të Gjelbërit, Sergej Lagodinski, e vuri theksin te veprimet e Lvova-Belova:

Duke dëgjuar se si Komisionerja për të Drejtat e Fëmijëve të Federatës Ruse flet për birësimin dhe rusifikimin e fëmijëve ukrainas, kjo tregon se sa i rëndësishëm është urdhri i Gjykatës. Nuk është vetëm një shenjë, por edhe një mjet kundër mungesës së plotë të vetëdijes.

Nuk ka dhunë më të tmerrshme se ajo që ushtrohet mbi fëmijët! E dimë se urdhëresat ndërkombëtare për arrestimin e Putinit dhe Belovës janë vetëm një mjet për presion politik. E megjithatë më lejoni të citoj Edmund Burke se "që të fitojë e Keqja, mjafton që e Mira të mos bëjë asgjë!" tha eurodeputeti italian nga Partia e Konservatorëve dhe Reformistëve Nicola Procaccini, kurse kolegu i tij estonez nga “Identiteti dhe Demokracia” Jak Maddison bëri thirrje:

Çështja është se si mund t'i bëjmë të gjitha shtetet anëtare të Gjykatës që të zbatojnë urdhër-arrestin, sepse po dëgjojmë nga disa se në qoftë se Vladimir Putin shkon tek ata, ata nuk do ta ndalojnë. Për ta duhet të ketë pasoja nga BE dhe KE - sanksione ekonomike! Në rast të kundërt nuk do të ketë aspak kuptim nga e drejta ndërkombëtare!

Nuk mendoj se këto do të jenë urdhër-arrestet e fundit, sepse ka një gamë shumë të gjerë faktesh që flasin për shkelje të kuadrit ligjor ndërkombëtar”, komentoi në një intervistë për rubrikën “Para të gjithave" në programin "Horizont" Hristo Hristev - profesor i së drejtës evropiane në Universitetin e Sofjes "Shën Kliment Ohridski":

Natyrisht, Rusia nuk lufton në mënyrë të civilizuar kundër Ukrainës. Ka sulme ndaj popullsisë civile, infrastrukturës civile, shkelen rregullat për trajtimin e robërve të luftës.”

Vendimi i Gjykatës së Hagës për lëshimin e një urdhër-arresti të përjetshëm për presidentin Putin duhet të zbatohet nga të gjitha vendet evropiane. Pas këtij vendimi, Vladimir Putin mund të hyjë në Bashkimin Evropian vetëm në rrugën për në Hagë. Ky vendim është i vonuar, por është i drejtë”, vuri në dukje eurodeputeti ynë nga Partia Popullore Evropiane Aleksandër Jordanov.

Vendi ynë kishte përfaqësues edhe në debatin në Parlamentin Evropian, ku u nënshkrua një rezolutë që i bën thirrje Moskës të lirojë opozitarët rusë.

Vladimir Kara-Murza u dënua me 25 vjet burg për gjoja tradhti. Krimi i tij për të cilin e ka marrë këtë dënim absurd është se ka folur haptazi në emër të miliona njerëzve që nuk janë dakord me luftën në Ukrainë”, tha eurodeputeti ynë nga “Rinovo Evropën” Ilhan Kyçuk.

Me rastin e dënimit, politologu rus Dmitrij Oreshkin saktësoi për BNR:

Vështirë se mund të flitet për ndonjë qëllim të ndërgjegjshëm dhe racional. Përkundrazi, bëhet fjalë për larje hesapesh (...) Së dyti, kjo është sigurisht një manifestim i një qëndrimi personal. Sistemi e kishte inat Kara-Murza sepse ai shkeli idenë parimore dhe themelore mbi të cilën u ndërtua Rusia e Putinit. Parimi quhet "Blerja korruptive e lojalitetit" - pushteti ju lejon të vidhni për aq kohë sa jeni besnik. Në momentin që filloni të bezdisni sistemin, ai nxjerr një dosje nga kasaforta, në të cilën thotë se keni bërë diçka. Dhe nëse silleni siç duhet, sistemi nuk e heq dosjen."

Ky vendim gjyqësor i egër është një tjetër demonstrim i abuzimit politik të sistemit gjyqësor në Rusi. Ne qëndrojmë në solidaritet me Vladimir Kara-Murza, Aleksej Navalni, Ilja Jashin dhe të gjithë ata rusë të persekutuar dhe burgosur ose të kërcënuar të cilët luftojnë për të drejtat e njeriut dhe kundër regjimit. Rusia gjithashtu duhet të sigurojë akses në kujdesin shëndetësor për të gjithë në burg”, kërkoi Komisionerja Evropiane e Shëndetësisë Stella Kyriakides.

“Nuk kanë mbetur shumë njerëz në Rusi që e kritikojnë publikisht luftën dhe mbi të gjitha deklarojnë solidaritet me Ukrainën. Vladimir Kara-Murza është një prej tyre - një publicist i guximshëm i nxitur nga dëshira e tij për të krijuar një vend më të mirë. Ashtu si qëllimi ynë, edhe qëllimi i tij është një Rusi e Lirë!”, theksoi gjatë diskutimit eurodeputetja gjermane e Gjelbër Viola von Cramon-Taubadel dhe eurodeputeti i së majtës irlandeze Mick Wallace shtoi:

I bëjmë thirrje Rusisë të lirojë Navalni dhe Kara-Murza! I bëjmë thirrje Komisionit të apelojë për lirimin e Julian Assange! Askush nuk duhet të jetë në burg sepse ka thënë të vërtetën!

Thonjtë e Putinit po bëhen më të gjatë dhe më të thellë! Në momentin që dëgjojmë se ai është përgjegjës për krimet kundër njerëzimit në Ukrainë, ai po përpiqet të heshtë opozitën në Rusi”, theksoi eurodeputetja suedeze nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve Evin Insir.

Në debat, deputetët e Parlamentit Evropian insistuan që përgjegjësit për arrestimet dhe dënimet e opozitarëve në Rusi të përfshihen në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian, ndërsa viktimat të mbrohen sipas ligjit evropian për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Edhe eurodeputeti nga “Rinovo Evropën” Guy Verhovstad theksoi kërkesën për regjistrim:

Vetëm dy muaj më parë, amerikanët vendosën sanksione sipas Ligjit Magnitski për këtë rast. Dhe ne jemi ende duke pritur! I bëj thirrje zotit Borel dhe Ministrave të Jashtëm që të miratojnë sanksionet Magnitski për rastet e Kara-Murza, Aleksej Navalni dhe të gjithë të burgosurve politikë sa më shpejt të jetë e mundur!”.

Më herët, shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë së Bashkimit Evropian akuzoi gjithashtu Rusinë për "shpërdorim të pushtetit". Një deklaratë në emër të Josep Borrell u lexua nga zëdhënësi i tij Peter Stano:

Ne e dënojmë fuqishëm dënimin jashtëzakonisht të ashpër. Ky është një tjetër demonstrim nga ana e autoriteteve ruse i abuzimit politik të drejtësisë për të ushtruar presion ndaj aktivistëve, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe zërave që kundërshtojnë agresionin e paligjshëm rus kundër Ukrainës”.

“Kriminalizimi i kritikave ndaj veprimeve të pushtetit është shenjë dobësie, jo forcë! Ne mbështesim të drejtën e çdo qytetari rus për të votuar. Kara-Murza dhe rusë të tjerë të panumërt besojnë në një Rusi ku respektohen liritë themelore të njeriut”, komentoi këtë temë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Moskë, Lynne Tracy, e cila arriti të vizitonte Evan Gershkovich në burg - gazetari amerikan i akuzuar për spiunazh, i cili kërcënohet me 20 vite burg.

"Le të bëjmë thirrje përsëri për lirimin e sigurt të Ivan Gershkovich nga "Wall Street Journal" - gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë pa frikë për jetën e tyre. Gjendja e fituesit të arrestuar të çmimit Saharov është shqetësuese. Dhe ai gjithashtu duhet të lirohet! “, kërkoi në emër të PE presidentja e tij Roberta Mezzola.

Në mars, Gershkovich u arrestua nga Shërbimi Federal i Sigurisë në qytetin ural Ekaterinburg, ndërsa përpiqej të merrte informacione "të klasifikuara si sekret shtetëror".

Aktivitetet e tij atje "nuk kanë të bëjnë me gazetarinë", theksoi në atë kohë zëdhënësja Maria Zaharova dhe kolegu i saj Dmitrij Peskov saktësoi se korrespondenti amerikan ishte "kapur në vendin e krimit".

Eurodeputetët i bënë thirrje Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut që të hetojë menjëherë rastet e burgosjeve çnjerëzore të kundërshtarëve.

Kishte gjithashtu një kërkesë në Këshillin e BE-së - për sanksione ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve rusë përgjegjës për persekutimet, si dhe për dhënien e vizave humanitare nga shtetet anëtare.

Ndërkohë, në prill, një gjykatë në Moskë lëshoi ​​një urdhër për arrestimin në mungesë të Hristo Grozev, i kërkuar në Rusi - autor i një sërë hetimesh të Bellingcat.

Aktiviteti i zhvilluar nga Hristo Grozev është në buzë të të ashtuquajturit interpretim i hapur i të dhënave sensitive. Dhe anasjelltas – diçka që është afër një operacioni të inteligjencës”, tha Ivo Ivanov nga Shoqëria Gjeopolitike Bullgare për gazetarin bullgar që fitoi çmimin Oskar me një film për Aleksej Navalni:

Në fakt, deri më tani me të gjitha publikimet që kanë përmes faqes Bellingcat, gazetari bullgar dhe kolegët e tij janë në anën e interpretimit zyrtar, ligjor të fakteve. Diçka që e mërzit shumë Moskën është se ata ia dolën gjatë viteve, duke përdorur të dhëna vërtet të hapura dhe të publikuara në mënyrë absurde nga shërbimet ruse, të zbulojnë lidhje të pabesueshme mes fakteve dhe veprimeve të shërbimeve ruse jashtë vendit, gjë që e bëri Grozevin të papëlqyeshëm për Moskën dhe Kremlinin.”

Ivo Ivanov

Sipas fjalëve të tij, “e reja në akuzën ndaj tij kësaj radhe është se ai ka hyrë ilegalisht në territorin rus, d.m.th. tani duan ta shpallin të akuzuar për spiunazh të hapur”:

“Ata duan ta implikojnë atë në të ashtuquajturin operacion të dështuar të shërbimeve ukrainase për të rekrutuar pilotë rusë, të cilët supozohej se do të paguheshin për të marrë avionë nga Rusia dhe për t'i ulur në Ukrainë”. Në praktikë, aksionet përfunduan në dështim dhe madje u bombardua aeroporti ku duhej të mbërrinin avionët rusë. Dhe e gjithë kjo tregon se Moska i ka marrë seriozisht aktivitetet e Grozevit dhe tashmë po përpiqet hapur, pa diskutim ta eliminojë atë, që është një tjetër shenjë se ai duhet të kujdeset seriozisht për sigurinë e tij, pavarësisht se ku ndodhet në Perëndim”.

Dhe duke folur për dënimet nga Rusia - kundër Navalni, së shpejti do të fillojë një çështje e re gjyqësore, e cila e kërcënon atë me 30 vjet burg, kundër Kara-Murza - cili është qëllimi i tyre? Të lodhin kundërshtarin në burg apo të frikësojnë ndjekësit e tij jashtë?

Aspirata është t'u tregohen të tjerëve si ata, nëse ka të gatshëm në mesin e inteligjencës të flasin kundër regjimit, atë që i pret. Beteja është e pakompromis, sepse Navalni dhe kolegjiumi rreth tij vazhdojnë të jenë aktivë kundër korrupsionit në Rusi dhe t'i ekspozojnë këto lidhje edhe tani në këto kushte të vështira. Dhe korrupsioni në Rusi, të cilin Navalni e ekspozonte në format më të pafajshme - cili oligark çfarë pronash i dha një politikani ose, anasjelltas, çfarë u sekuestrua - u bë shumë i dukshëm në rrjedhën e luftës. Ushtria ruse dështoi dhe vazhdon të dështojë pikërisht për shkak të korrupsionit, sado që regjimi përpiqet të jetë represiv, ai ka kufij në të cilët nuk mund të shtypë të korruptuarit e tij të cilët në fakt e dobësojnë regjimin. Pra, kemi një rreth vicioz nga i cili nuk ka rrugëdalje”, shpjegoi Ivo Ivanov.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Kuzhina bullgare hyri në top 15 të Evropës

Kuzhina bullgare renditet e 14-ta nga të gjitha kuzhinat kombëtare në Evropë në renditjen prestigjioze të faqes së specializuar të kuzhinës TasteAtlas, njoftoi BNR Varna. Renditja bëhet çdo vit në bazë të vlerësimit nga përdoruesit e faqes. Bullgaria..

botuar më 24-06-24 1.25.MD

Dhurata e Rrëshajëve është jetë e bollshme

Të dielën e tetë pas Ngjalljes së Krishtit, ne kremtojmë një nga festat më të rëndësishme për mësimin e krishterë, Rrëshajën. Në këtë ditë, Fryma e Shenjtë - Personi i Tretë i Trinisë së Shenjtë - zbret në tokë për t'iu shfaqur dymbëdhjetë apostujve,..

botuar më 24-06-23 6.10.PD

Ditët e jogës mbledhin adhurues të praktikave shpirtërore në Bullgari

Për të dhjetën vit radhazi në ditët rreth 21 qershorit, shumë vende të botës festojnë festivalin e jogës. Në Bullgari, nga 15 deri më 23 qershor, 44 vendbanime, duke përfshirë qytetet më të mëdha - Sofje, Plovdiv, Stara Zagora, Burgas, Varna, Ruse,..

botuar më 24-06-22 9.10.PD