Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tema nga radio rrjeti evropian "Euranet Plus":

Nikollaj Nikollov: Bullgaria ka marrë pjesë shumë më tepër dhe ka dhënë mbështetje më serioze në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së sesa ka kërkuar

Nikollaj Nikollov
Foto: BGNES

Verës po i vjen fundi, por jo fatkeqësive që shkakton. Europa, megjithatë, mbetet e bashkuar në përpjekjet e saj për të normalizuar situatën në vendet e prekura gjatë gjithë sezonit dhe falë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian, çdo shtet në botë mund të kërkojë ndihmë kur një situatë e jashtëzakonshme tejkalon aftësinë e tij për t'u përgjigjur.

Kështu bëri Greqia fqinje – vendi që prej dy muajsh po lufton zjarret në pyje për shkak të vapës së thatë. Në terren për herë të dytë këtë sezon janë ekipe të përforcuara me zjarrfikës nga disa vende për shkak të ndihmës së kërkuar në kuadër të Mekanizmit, si dhe pajisje nga rezerva RescEU

Veprimet koordinohen nga një qendër 24 ore në nivel evropian, në mënyrë që situatat e krizës – qofshin të shkaktuara nga neglizhenca njerëzore apo nga mizoria e natyrës – të zgjidhen me sukses.


Ky është një mekanizëm i krijuar në vitin 2001. Ai përfshin të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe nëntë që janë afër territorit të Evropës. Ne u bëmë anëtar i këtij mekanizmi më 1 janar 2003, kur nënshkruam dhe ratifikuam Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Bullgarisë dhe Komunitetit Evropian”, shpjegoi ish-kryekomisioneri dhe ish-drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme “Siguria nga zjarri dhe mbrojtja e popullsisë” Nikollaj Nikollov, i cili tani është këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme:

"Dhe çfarë është ky mekanizëm në përgjithësi - është promovimi i bashkëpunimit midis autoriteteve kombëtare të mbrojtjes civile dhe ofrimi i një mundësie për ndihmë të shpejtë, efektive dhe të koordinuar për popullatën e prekur. Dhe e gjithë kjo koordinohet nga Qendra Koordinuese e Reagimit Emergjent në situata të jashtëzakonshme, e cila ndodhet në Bruksel”.

Qendra është thelbi operacional i Mekanizmit, e cila monitoron botën 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. 

"Mbrojtja e popullsisë dhe ofrimi i ndihmës humanitare plotësojnë njëra-tjetrën - kombinimi i tyre çon në një përgjigje më efektive. Një mënyrë për ta zhvilluar këtë është përmes qendrës sonë të përbashkët ndaj krizave - Qendra Koordinuese e Reagimit Emergjent të BE-së, roli i së cilës është kyç", vuri në dukje drejtori i saj Hans Das.

Në një intervistë për BNR, ish-drejtori i zjarrfikësve në vendin tonë, Nikollaj Nikollov, i përmblodhi si më poshtë aftësitë e Mekanizmit:

"Kryen operacione kërkim-shpëtimi, shuan zjarre, disponon një personel mjekësor. Ka modele të fuqishme për pastrimin e ujit, siguron strehim të përkohshëm në raste emergjente, si tërmete të rënda ose fatkeqësi të tjera të tilla në shkallë të gjerë."

"Për më tepër - Mekanizmi në 2019 krijoi rezervën e tij - Rezervat Evropiane të Mbrojtjes Civile RescEU. Ky ishte një rezultat i madh i bazuar në një analizë të madhe gjatë periudhës së kaluar kur Evropa po luftonte me zjarre të mëdha në Spanjë, Portugali. Më shumë se 100 njerëz vdiqën dhe Mekanizmi duhej të krijonte një flotë avionësh dhe helikopterësh zjarrfikës për shuarjen e zjarreve të tilla në pyje, mori aeroplanë për evakuim mjekësor, pajisje shtesë mjekësore dhe ishte jashtëzakonisht i suksesshëm pikërisht gjatë krizës së Covid-it. Krijoi një kapacitet për t'u përgjigjur ndaj incidenteve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore. Me dy fjalë, Mekanizmi është një mjet shumë serioz i Bashkimit Evropian për mbështetjen dhe mbrojtjen reciproke të qytetarëve”, shtoi Nikollaj Nikollov.

Me rastin e mundësive të rezervës RescEU, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Balazs Ujvari, tha:

Aktualisht kemi 24 avionë dhe 4 helikopterë, por kjo rezervë është e përkohshme. Ne synojmë ta zgjerojmë këtë kapacitet duke blerë pajisje të reja me mjete të BE-së, megjithëse kjo është një zonë me kapacitet të reduktuar prodhues. Plani ynë afatgjatë është të kemi një flotë prej 12 avionësh të rinj deri në vitin 2030, të cilët t’i vendosim në mënyrë strategjike në të gjithë BE-në për të mbuluar rajonet e ndryshme gjeografike."

Për shkak të zjarreve në një shkallë të paprecedentë, Greqia aktivizoi dy herë Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, me anë të të cilit, përveç avionëve për të luftuar flakët nga ajri, mori edhe automjete të specializuara dhe ekipe tokësore për të luftuar zjarret në pyje nga disa vende evropiane, përfshirë Bullgarinë.


Drejtori i Kryedrejtorisë “Siguria nga zjarri dhe mbrojtja e popullatës” në vendin tonë, kryekomisioneri Aleksandër Zhartov deklaroi:

Ata e përfaqësuan Bullgarinë me dinjitet, treguan profesionalizëm të vërtetë! Vetë fakti që i kanë shuar zjarret krah për krah me kolegët grekë përfshirë këtu disa nga zjarret më komplekse, tregon se zjarrfikësit bullgarë kanë ndërtuar besim me nikoqirët tanë, se Greqia fqinje ka besuar në aftësitë e zjarrfikësve tanë”.

Kemi punuar krah për krah me kolegët grekë në një koordinim shumë të mirë. Mund të them që u bëmë një ekip. Ajo që pashë prej tyre ishte një profesionalizëm i lartë”, shtoi komisioneri Valentin Vasilev – Drejtor i Drejtorisë Rajonale “Siguria nga zjarri dhe mbrojtja e popullatës” në Bllagoevgrad.

Zona e prekur kur mbërritëm ishte kolosale. Kolegët grekë nuk kanë mundësi ta mbulojnë këtë territor - janë terrene malore, të vështira për t'u aksesuar. Kishte kolegë grekë që nuk ishin kthyer në shtëpi prej javësh”. tha zjarrfikësi nga qyteti i Gabrovos, Radosllav Stefanov.

Gjithashtu u theksuan disa probleme:

"Kemi nevojë për shumë gjëra, si pjesë për riparimin e automjeteve, ashtu edhe pajisje zjarrfikëse, si helmeta, veshje, çizme, doreza pune, litarë dhe mjete të tjera bazë," tha vullnetari Thanasis Koutourlos, ndërsa Jorgos Dertilis, udhëheqës i një prej zjarrfikëseve theksoi se:

Nuk ka subvencione nga qeveria! Kemi vështirësi në gjetjen e sponsorëve! Duhet të mbështetemi në iniciativën personale për të gjetur fonde për mirëmbajtjen e makinave. Kamioni pas meje është në shërbim që nga viti 1986 dhe duhet të ndërrohet! Kemi vështirësi në mbledhjen e fondeve për të blerë pajisje të reja dhe automjete të reja! Është e rëndësishme të garantojmë sigurinë tonë - ne nuk mund të mbrohemi me teknologjinë e vjetër!"


Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së siguron pikërisht një zgjidhje e këtyre problemeve, si dhe njerëzit e domosdoshëm për të shkëmbyer praktikat e mira.

Por cila është më e dobishme: teknika apo faktori njerëzor në terren, të cilat sigurohet falë tij?

"Ne gjithmonë kemi thënë se teknologjia është një gjë shumë e rëndësishme, por ajo nuk vlen asgjë pa resursin njerëzor! Ndihma zakonisht përfshin teknologjinë së bashku me resursin e domosdoshëm njerëzor i cili ta menaxhojë atë siç duhet. Një gjë tjetër janë të ashtuquajturat “ekspertë” që këshillojnë qeveritë përkatëse për masat më të përshtatshme mbrojtëse”, shtoi këshilltari i Ministrit të Brendshëm Nikollaj Nikollov.

Dmth. a mund të themi se shkëmbejmë praktika të mira, ndonëse në një situatë të pakëndshme?

"Ne ishim të parët që erdhëm për t’i ndihmuar kolegët nga Turqia në tërmetin e rëndë në fillim të këtij viti. Mund të jepen shumë shembuj ", theksoi Nikollaj Nikollov, dhe shpjegoi:

“Vetë Mekanizmi në historinë e tij ka funksionuar më shumë se 650 herë, kurse në Bullgari sipas kujtesëssime 4 herë, dhe do të përpiqem t’i rendis. Kur filluan përmbytjet në vitin 2006, një ekip nga Belgjika po punonte këtu, në Nikopoll dhe Llom. Zjarret në pyje, në vitin 2008 – atëherë katër avionë nga Spanja dhe Franca mbështetën përpjekjet tona për shuarjen e zjarrit të madh pyjor në malin Rilla mbi zonën e Bodrost. Menjëherë pas përmbytjes në Biser në vitin 2012, kur morëm thasë me rërë dhe tenda dimërore, gjeotekstil. Gjatë krizës së emigrantëve në vitet 2013-2014, ne morëm mbështetje serioze nga shumë vende në kuadrin e Mekanizmit”.

Por Bullgaria ka marrë pjesë shumë më tepër dhe ka dhënë një mbështetje shumë serioze në Mekanizëm. Për shembull, pjesëmarrja e parë e ekipeve bullgare ishte në mbështetje të Kilit – në vitin 2010, pas tërmetit, përmbytjet në Hungari në 2010, konflikti ushtarak në Libi në 2011, nuk duhet të harrojmë përmbytjet në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi në 2014, përmbytjet dhe tërmetin në Shqipëri në 2019, në Kroaci në 2021 dhe sigurisht tani, në vitin 2023, tërmetin në Turqi dhe Siri. Dhe të mos harrojmë - aktualisht po ofrojmë ndihmë dhe mbështetje për kolegët tanë nga Greqia për shuarjen e zjarreve masive në pyje.


Bullgaria ishte ndër vendet që i ofroi ndihmë Ukrainës në kuadër të Mekanizmit për përballimin e pasojave të shkatërrimit të murit të digës "Nova Kahovka", dhe përveç Greqisë, gjatë muajve të verës ai u aktivizua edhe në Sllovaki – për shkak të përmbytjeve - dhe në Qipro për shkak të zjarreve.

Në kuadrin e Mekanizmit iu ofrua ndihmë edhe Rumanisë - pas shpërthimit të stacionit të karburantit, viktimat me djegie të rënda u transportuan në disa vende evropiane. Bullgaria ishte ndër vendet që pritën të plagosurit.

I pyetur nëse dërgimi i njerëzve për të menaxhuar situatat e fatkeqësive jashtë vendit pengon punën e ekipeve në vendin tonë, Nikollaj Nikollov theksoi:

Gjithmonë duhet të analizojmë dhe vlerësojmë nëse vërtet mund t'i ndihmojmë fqinjët tanë dhe kjo me kusht që të mbajmë një nivel të mirë të sigurisë në vendin tonë - Bullgarinë. Prandaj, për misione të tilla zakonisht përdoren module të parapërgatitura. Pra, duke i dërguar në shtetin fqinj, ne nuk cenojmë sigurinë këtu në Bullgari. Mund të themi se forcat tona për mbrojtje civile, policia, zjarrfikësit, ndihma rrugore, Kryqi i Kuq Bullgar janë mjaft mirë të përgatitura, kanë një rezervë serioze të personelit dhetë pajisjeve për aktivitete të tilla.”

Pra, çfarë konkluzionesh mund të bëjmë për Mekanizmin:

Jo vetëm i dobishëm - do të thosha shumë i dobishëm, dhe cilësia më e mirë e tij është se mund të përmirësohet vetë. Ky është shembulli më i fundit - i krijimit të rezervës RescEU”, theksoi ish-kryekomisioneri Nikollaj Nikolov - ish-drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme “Siguria nga zjarri dhe mbrojtja e popullatës”.

Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.

Foto: EPA/BGNES

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Programi arsimor "Tregimet e pathëna të bullgarëve" me mbështetje të madhe brenda dhe jashtë vendit

Bullgarë nga 18 vende, 34 shkolla jashtë dhe 8 pedagogë bullgarë nga universitetet jashtë vendit janë pjesëmarrës në vitin e parë të Programit Kombëtar "Tregimet e pathëna të bullgarëve", i cili kërkon fakte pak të njohura për bullgarët e denjë apo ngjarje..

botuar më 24-11-12 5.26.MD

Për herë të parë që nga viti 1985, në vendin tonë ka një rënie pothuajse zero të popullsisë

Nga raporti i Këshillit të Ministrave për zbatimin е "Strategjisë Kombëtare të Përditësuar për Zhvillimin Demografik të Popullsisë në Republikën e Bullgarisë" në vitin 2023 del qartë se për herë të parë në 38 vjet në Bullgari raporti ndërmjet rritjes..

botuar më 24-11-12 7.05.PD

Grafitet në Bllagoevgrad kujtojnë historinë tonë 20-vjeçare në NATO

Pak ditë më parë në Bllagoevgrad u pikturua një grafiti-mural shumëngjyrësh i krijuar në lidhje me 20-vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Vepra e artit të rrugës u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë,..

botuar më 24-11-10 5.45.PD