Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Sllovenia vendos postblloqe policore në kufijtë e saj

Sllovenia do të vendosë pika kontrolli policore në territorin e saj pranë pikave kufitare, duke përfshirë përgjatë kufirit me Kroacinë. Regjimi Shengen mbetet në fuqi dhe kalimi do të jetë i pakontrolluar përmes ish-pikave kufitare, por do të ketë postblloqe policore në territorin e Sllovenisë, ku policia do të ndalojë dhe kontrollojë automjete të caktuara. Sipas portalit 24ur, Sllovenia, sipas shembullit të Italisë, do të vendosë masën për shkak të migrimit të paligjshëm. Qeveria sllovene nuk po shqyrton vendosjen e kontrolleve kufitare me Kroacinë, pavarësisht rritjes së madhe të hyrjes së paligjshme të emigrantëve, tha Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme Marko Stucin.

Porsche do të ndërtojë fabrikë biçikletash elektrike në Kroaci

Mate Rimac
Prodhuesi gjerman i makinave luksoze ka finalizuar planet për të ndërtuar një fabrikë biçikletash elektrike në Kroaci, raportoi Jutarnji list. Botimi vë në dukje se kjo do të jetë fabrika e parë e kompanisë në Kroaci dhe investimi i saj i parë i gjelbër në vend. Gazeta e përditshme sqaron se nuk ka detaje për projektin, por ky është një tjetër investim i rëndësishëm në sektorin e automjeteve elektrike të Kroacisë, pasi kompania vendase Rimac Group tashmë po përfundon fabrikën e saj të makinave elektrike pranë Zagrebit. Përpara se të nisej për në Kroaci, Porsche Group përmes Porsche eBike Performance bleu për 13.3 milionë euro start-upin kroat Greyp Bikes pikërisht nga Mate Rimac, pronar i Rimac Group.

Shtetasit grekë kanë kohë për të zëvëndësuar kartat e tyre të identitetit deri në vitin 2026


Nëpërmjet platformës id.gov.gr, grekët tashmë mund të paraqesin një aplikim elektronik për lëshimin e kartave të identitetit të lexueshme nga makineritë sipas standardeve të BE-së dhe SHBA-së, raportoi BTA. Të gjithë qytetarët janë të detyruar të ndërrojnë kartat e identitetit deri më 3 gusht 2026. Kartat e reja të identitetit japin mundësinë për të treguar vullnetarisht grupin e gjakut dhe faktorin rezus (Rh). Ndërkohë fotot e dokumenteve dhe marrja e shenjave të gishtave do të bëhen në mënyrë elektronike në vend. Propozimi për ndryshimin e kartave të identitetit shkaktoi pakënaqësi te disa grekë. Pati protesta në Selanik dhe Athinë mbi thashethemet se dokumentet e reja përmbanin një çip që lejonte që mbajtësi të gjurmohej. Autoritetet i kanë hedhur poshtë spekulimet. Fotografë profesionistë u ankuan gjithashtu se dokumentet e reja po "ua zenë vendin e punës".

Rumania do të padisë Austrinë nëse bllokada e Shengenit vazhdon


Nëse në dhjetor Austria përdor sërish veton e saj në lidhje me Shengen, Rumania do t'i drejtohet Gjykatës së BE-së dhe do t'i kërkojë Këshillit Evropian, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian që të jenë palë në proces së bashku me Rumaninë. Kështu deklaroi kryeministri rumun Marcel Ciolacu para televizioneve Antena 3 dhe Digi 24. “Për sa kohë të jem kryeministër, nuk do të pranoj që kancelari austriak të jetë hipokrit dhe të vazhdojë të poshtërojë Rumaninë. Nuk mundet pasi ka miratuar hyrjen e Kroacisë në Shengen, të vijë e të thotë që nuk e pranojnë Rumaninë dhe Bullgarinë”, komentoi Ciolacu dhe kujtoi se Rumania humbet të paktën 2% të PBB-së për shkak të mospranimit në hapësirën pa kufij. I pyetur nëse, në përgjigje të vetos austriake, Bukureshti do të bllokonte aksesin e zyrtarëve austriakë në forumet e NATO-s, kryeministri u përgjigj: "Sigurisht".

Në veri të Kosovës është derdhur gjak sërish


Më 24 shtator, një polic i Kosovës u vra në një barrikadë serbe në veri të Kosovës. Një tjetër ka mbetur i plagosur. Si përgjigje, autoritetet rrethuan një grup prej 30 serbësh të armatosur rëndë në manastirin afër fshatit Banska. Në përleshje u vranë katër serbë. Gjashtë persona u plagosën dhe u arrestuan. Pas një takimi në Beograd me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Italisë, Gjermanisë dhe Francës, presidenti serb Aleksandar Vuçiç fajësoi për ngjarjet politikën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Vuçiç ka kërkuar që policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i Kosovës dhe të zëvendësohet nga trupat e misionit paqeruajtës KFOR. Prishtina i ka bërë thirrje Beogradit që të dorëzojë pjesëmarrësit në përplasje që janë të fshehur në Serbi, raporton REUTERS. “Ne ende po punojmë shumë për të zbuluar saktësisht se si, kush është përgjegjës dhe pse”, komentoi ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. “Ky nuk ishte një grup qytetarësh individualë që u mblodhën spontanisht për të shprehur shqetësimin. Ishte një grup i stërvitur, i organizuar. Dhe kjo do të thotë se pas tyre janë disa struktura që i trajnojnë dhe u japin pajisje”, vuri në dukje diplomati. Asnjë grup nuk ka mbajtur përgjegjësi për sulmin.

Autor: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: balkaninsight.com, jutarnji.hr, neoskosmos.com, reuters.com



Më shumë nga rubrika

Ljupço Georgievski dhe avokati Naser Raufi (djathtas)

Bullgarët nga Manastiri do të kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre para gjykatës në Strasburg

Klubi Kulturor "Ivan Mihajllov" në Manastir është fshirë nga Regjistri Qendror në Maqedoninë e Veriut, por shpirti i Ivan Mihajllovit vazhdon të jetojë në popull dhe në gjykatë po zhvillohet një "betejë ligjore" për kthimin e këtij emri, tha për BTA..

botuar më 24-11-07 9.51.PD

A do të shkojmë në zgjedhje të tjera dhe gjer kur?

Pasi, për të shtatën herë radhazi, brenda tre viteve, Bullgaria zhvilloi zgjedhjet e saj parlamentare, rezultatet e votimit hodhën dritë mbi disa lojëra prapaskenash. Një detaj në dukje i vogël në numërimin e votave për partinë “Veliçie”, e cila nuk arriti..

botuar më 24-11-06 3.37.MD
Donald Trump

Presidenti dhe partitë politike uruan Donald Trump

Politikanët bullgarë uruan Donald Trump për zgjedhjen e tij si president i SHBA-së. Urime Donald Trump për fitoren zgjedhore, shkroi presidenti Rumen Radev në rrjetin social “X”. "Kam besim se dialogu ynë efektiv në nivelin më të lartë do të vazhdojë..

botuar më 24-11-06 2.03.MD