Ashtu si shumë vende të tjera evropiane, edhe Bullgaria ka qindra mijëra qytetarë të saj që kanë zgjedhur të jetojnë jashtë vendit. Përgjithësisht, mund t'i ndajmë në dy lloje - emigracion i vjetër dhe i ri. Arsyet për të përfunduar jashtë vendit, natyrisht, janë të ndryshme. Disa nga ata që arritën të emigronin deri në vitin 1989 e bënë këtë duke rrezikuar jetën dhe në kërkim të një fillimi të ri përtej Perdes së Hekurt. Vala tjetër e emigrantëve filloi disa muaj pas rënies së Murit të Berlinit, të nxitur sërish nga shpresat për një jetë më të mirë në Perëndim, larg tranzicionit bullgar që mezi po zhvillohej në ato vite. Një valë bullgarësh që shkuan jashtë vendit është vërejtur edhe pas anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian në vitin 2007 - disa gjejnë punë më të mirë, ndërsa të tjerë - duke studiuar në universitetet evropiane e ndërtojnë jetën jashtë atdheut të tyre.
Në tre dekadat e fundit, bullgarët jashtë vendit kanë krijuar në mënyrë aktive shoqatat e tyre, shkollat e së dielës dhe ansamblet e vallëzimit, përmes të cilave ruajnë gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre amtare. Një prej tyre është shoqata “Llazarka” – në Mynih, e themeluar në vitin 1991. Në lidhje me të krijohet edhe një ansambël vallëzimi me të njëjtin emër, drejtuesi i të cilit sot është Pllamen Petkov. "Me fat" ai niset për në Gjermani në vitin 2000, eksperti i softuerit qëndron atje sepse fiton një Karton të Gjelbër nën një program gjerman që synonte rekrutimin e specialistëve kompjuterikë nga e gjithë bota. Për ekzistencën e ansamblit folklorik bullgar i ka treguar kolegu i tij gjerman, i cili tashmë prej 23 vitesh është pjesë e pandashme e tij dhe prej 13 vitesh është drejtues i tij. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, Pllamen Petkov i kthehet historisë së qendrës bullgare në kryeqytetin e provincës së Bavarisë:
"Ky është një ansambël folklorik, i krijuar në formën e një shoqate me një qëllim ideal që në vitet '90. Është krijuar nga gjermanët dhe një koreograf bullgar Bellço Stanev, i cili zbulon talentin e banorëve të Mynihut. Gjermanët deri në vitin 2010 përbënin pjesën më të madhe të pjesëmarrësve në grup. Me ardhjen e më shumë bullgarëve në Mynih për punë ose si studentë pas vitit 2007, u krijua një mjedis bullgar dhe pati një vazhdimësi nga balerinët gjermanë deri te interpretuesit bullgarë. Për momentin kompozimi është tërësisht bullgar, por nga ky vit fillon rikthimi i fëmijëve të gjermanëve që e themeluan”.
Gjermanët e zonës dashurinë dhe përkushtimin ndaj folklorit bullgar ia detyrojnë Bellço Stanevit, i cili ndërtoi figurën e Ansamblit bullgar "Varna" dhe ishte drejtues i tij në periudhën 1960-1995.
“E nis këtë histori pak më herët – me rënien e Perdes së Hekurt, pas së cilës Europa Lindore hapet ndaj botës perëndimore – shpjegon Petkov. - Në Ballkan të huajt gjejnë valle, ritme dhe muzikë interesante, por vallet tona bullgare janë nga më të ndryshmet dhe më së shumti tërheqin vëmendjen e tyre dhe mësuesit tanë kanë aftësinë të "ndezin" interesin te të huajt për folklorin tonë. Këtu një rol të madh luan Bellço Stanev - koreograf i Ansamblit "Varna", i cili organizon seminare në të gjithë Gjermaninë që nga vitet 1990. Ai u tregon dhe shpjegon çdo detaj të folklorit bullgar në mënyrë shumë të kapshme dhe interesante, që ata të duan të kërcejnë vallet tona”.
Sot në përbërjen kryesore të ansamblit “Llazarka” në Mynih kërcejnë 35 veta. 100 të tjerë marrin pjesë në klubin e kërcimit, ku stërviten në grupe fillestare ose të avancuara.
Valltarët nga "Llazarka" rregullisht prezantojnë traditat folklorike bullgare në evente të ndryshme në Gjermani dhe Evropë kushtuar diversitetit kulturor. Natyrisht, programi i tyre i pasur i vallëzimit është pjesë e pandryshueshme e jetës kulturore të komunitetit bullgar në Bavari.
“Ne po ndërtojmë ura – thotë Pllamen Petkov dhe u drejtohet me një urim të gjithë atyre që merren me folklorin bullgar në mbarë botën: – Secili grup të ndjehet si ndërtuesi i kësaj ure, i lidhjeve midis Bullgarisë dhe vendit, qytetit në të cilin ndodhet!"
Fotot: Arkiva personale e Pllamen Petkov, BTA
Përktheu në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Haga, një qytet në pjesën jugore të Holandës, një qendër administrative dhe një vend ku jeton dhe vepron mbretëresha... Vështirë se dikush e lidh këtë qytet me folklorin dhe traditat bullgare. Megjithatë, është fakt se në Hagë interesimi për vallet..
Produktet e bëra prej leshi ngjallin ndjenjën e rehatisë dhe ngrohtësisë së brendshme tek vizitorët e Muzeut Etnografik Rajonal të Plovdivit. Ekspozita “Qilimat e paendur të Bullgarisë – mesazh nga lashtësia” paraqet një zanat të lashtë, që besohet..
Nga sot deri më 30 gusht në bregun bullgar të Detit të Zi në Nesebër , Sllënçev Brjag dhe Sveti Vllas do të mbahet Kampionati i XIV Botëror Folklorik “World Folk 2024”. Fillimi është sonte në Amfiteatrin “Zhana Çimbuleva” në..