Pasojat e një sulmi terrorist në Rusi po jehojnë në të gjithë Evropën. Bombardimi i 22 marsit në sallën e koncerteve Crocus City Hall në rajonin e Moskës, në të cilin vdiqën më shumë se 140 njerëz, ngriti pyetjen - a është kërcënimi i sulmeve në shkallë të gjerë në Evropë i ngjashëm me ato të mesit të dekadës së fundit në Francë dhe në Belgjikë? Si përgjigje, disa vende njoftuan menjëherë se po i forcojnë masat e sigurisë.
U shtruan më shumë pyetje - nëse Moska dhe Perëndimi mund të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre dhe të bashkojnë forcat në luftën kundër terrorizmit duke shkëmbyer informacione, dhe nëse Rusia mund ta hetojë objektivisht sulmin, duke pasur parasysh përdorimin e tragjedisë për përdorim politik të brendshëm.
Në Rusi u arrestuan 4 burra nga Taxhikistani, për të cilët besohet se e kanë kryer krimin. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë "Daeshi" dhe, më saktë, nënndarja e tij Horasan – sipas emrit të një rajoni historik që mbulon pjesë të Afganistanit të sotëm, Iranit dhe Azisë Qendrore. Grupi ka sulmuar objektivat ruse që nga viti 2015.
Megjithatë, Rusia e akuzoi Ukrainën për lidhje me sulmuesit, të cilët sipas Moskës janë përpjekur të ikin në Ukrainë. Drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse Aleksandër Bortnikov:
“Islamistët nuk mund të përgatisin vetë një veprim të tillë. Sigurisht që i kanë ndihmuar. Po shohim një gjurmë ukrainase, siç tha presidenti. Të dhënat parësore që jemi duke marrë nga të arrestuarit e konfirmojnë këtë.”
Kievi i mohoi akuzat, SHBA i quajti "absurde" dhe zëdhënësi i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm Peter Stano theksoi:
“Nuk ka asnjë tregues, asnjë provë, se Ukraina është e lidhur me këtë sulm. Dhe ne u bëjmë thirrje autoriteteve ruse: mos e përdorni sulmin terrorist në Moskë si pretekst për rritjen e agresionit kundër Ukrainës”.
Megjithatë, pavarësisht thirrjeve, duket e pashmangshme që Putini të përpiqet të përfitojë nga situata, sipas nënkryetarit të Ministrisë së Jashtme polake Andrzej Szejna:
"Vladimir Putin do të kërkojë të konsolidojë shoqërinë ruse rreth tij. Ai do të përpiqet të justifikojë përpjekjet e mëtejshme ushtarake kundër Ukrainës dhe, duke përfituar nga kjo tragjedi, do të përpiqet të bindë shoqërinë ruse për legjitimitetin e vazhdimit të një lufte terroriste kundër Ukrainës."
Sipas ekspertëve, ky sulm mund të ishte parandaluar nëse Kremlini do t'i kishte marrë seriozisht paralajmërimet e shërbimeve perëndimore. Putini i hodhi poshtë ato, duke thënë se ato po synojnë të frikësojnë dhe destabilizojnë shoqërinë ruse.
Eksperti bullgar i sigurisë Ivajllo Ivanov pa një mosbesim të thellë midis vendeve që e pengon bashkëpunimin:
“Bashkëpunimi ndërmjet shërbimeve të inteligjencës të vendeve të ndryshme, i cili në vitet e kaluara ka funksionuar mjaft mirë, nuk mund të ndodhë për shkak të nivelit të madh të mosbesimit. E pamë në Rusi ku nuk u mor parasysh informacioni i dërguar”.
Në favor të forcimit të bashkëpunimit u deklarua edhe presidenti francez Emmanuel Macron:
“Ne kemi propozuar rritjen e bashkëpunimit me shërbimet e inteligjencës ruse dhe partnerët tanë në rajon. Shpresojmë që fajtorët të gjenden sa më shpejt të jetë e mundur dhe të vazhdojmë të luftojmë efektivisht kundër këtyre grupeve terroriste që synojnë disa vende. E shohim në Rusi, disa muaj më parë në Turqi dhe së fundmi në Francë”.
Pas sulmit në Moskë, Franca e ngriti alarmin terrorist në nivelin më të lartë. Në verë, Parisi do të presë Lojërat Olimpike, të cilat, së bashku me fluksin e madh turistik, është një sfidë serioze sigurie.
Në sulmin pranë Moskës vihet re specifika e njohur, e cila ndryshon nga ajo që jemi mësuar të shohim në sulmet e Daeshit, theksoi Tihomir Bezllov nga Qendra për Studimin e Demokracisë:
“Daeshi sulmon kryesisht rajonet me popullsi myslimane, d.m.th. vendet ku kanë mundësi të zgjerojnë ndikimin e tyre. Në rastin e Rusisë dhe vendeve evropiane, kjo është më e diskutueshme. Gjëja tjetër karakteristike për këto sulme është se ato janë vetëvrasëse, dmth. sulmuesit mbijetojnë.”
“Në sulmin e Crocus City Hall pati të shtëna pa dallim, djegie të sallës dhe një arratisje të planifikuar keq të sulmuesve. Ka një problem me profilin e vetë sulmit”, vuri në dukje eksperti dhe shtoi:
“Gjëja tjetër që bëri përshtypje është se Daeshi u vonua me marrjen e përgjegjësisë. Zakonisht ata marrin përgjegjësinë menjëherë. Këtu tashmë ekziston një supozim se cili është saktësisht versioni i sulmit. Besohet se ndoshta është përdorur ndonjë degë e Daeshit, në këtë rast ndoshta nga Taxhikistani, i cili ka pozicione në ish-republikat sovjetike.”
“Në vetë Rusinë, ajo që është e diskutueshme, është se ka pasur vërtet paralajmërime nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe për një akt të pritshëm terrorist, të cilin shërbimet e kanë injoruar. Kjo u shpalë si një provokim nga Shtetet e Bashkuara. Gjëja tjetër është se edhe pse pala ruse pranoi se kjo ka qenë një organizatë radikale terroriste, ata pohuan se ajo është lidhur me Ukrainën, sepse kjo është një justifikim ideologjik i mosmarrjes së masave.”
Lufta kundër terrorizmit nuk duhet të jetë një fushë ku ka kundërshtime dhe interesa të ndryshme, beson Tihomir Bezllov:
“Para fillimit të luftës me Ukrainën, ka pasur bashkëpunim, madje janë parandaluar sulme terroriste në Rusi. Kishte një lloj sistemi të shkëmbimit të informacionit në vend. Cila është situata tani dhe deri në çfarë mase ruhen kanalet e shkëmbimit të informacionit - është e vështirë të thuhet.”
Popullsia myslimane në Rusi dhe në ish-republikat sovjetike mund të bëhet një kërcënim potencial i sigurisë në vend në të ardhmen, komentoi eksperti:
“Është interesante se deri në çfarë mase mënyra se si do të reagojë Rusia do të provokojë një reagim të mëtejshëm nga shtetet islamike. Një nga problemet që ka Federata Ruse është minoriteti i konsiderueshëm mysliman në Rusi, i cili, në rastin e Çeçenisë, ishte jashtëzakonisht armiqësor dhe kreu një numër të madh aktesh terroriste në Rusi. Ka zona të tjera që konsiderohen të rrezikshme - ish republikat sovjetike, ku këto ideologji radikale si Daeshi me sa duket kanë ndikim - duke përfshirë Taxhikistanin, Uzbekistanin, Kirgistanin."
A pritet një rritje e re e terrorizmit dhe cilat janë rreziqet e mundshme për Bullgarinë dhe Evropën - komentoi Tihomir Bezllov:
“Problemi ynë është më tepër se cilat do të ishin pasojat për Evropën dhe Bashkimin Evropian, përfshirë edhe për ne. Problemi ynë, siç e dini, është se Bullgaria është në kufi me botën myslimane, dhe në përputhje me rrethanat ndeshemi me rreziqe të konsiderueshme, sepse një fluks i madh kalon përmes nesh - duke filluar nga mallrat dhe duke përfunduar me njerëzit që vijnë nga Lindja e Mesme.
Ka shpjegime të ndryshme përse nuk kemi aq shumë incidente krahasuar me 2015-2017. Disa nga vendet më të prekura morën masa vërtet serioze dhe po investojnë shumë në siguri. Ata ndryshuan konceptet e tyre të sigurisë së vendit dhe ne po shohim shumë operacione ku ata janë në gjendje të parandalojnë sulme të mëdha, kështu që nuk është vetëm sepse ne nuk e kemi më “Shtetin Islamik” në Siri dhe Irak ose sepse kemi pasur një pandemi. Nuk duhet t'i shpjegojmë gjërat vetëm me faktorë të tillë.”
Foto: EPA/BGNES, arkiv, euractiv.com, Savina Spasova,
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Vazhdon edicioni i 22-të i "Krishtlindjeve bullgare" nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Bullgarisë. Këtë vit, fushata është në mbështetje të fëmijëve me sëmundje dhe gjendje të rëndë kronike. Shuma e mbledhur pas shfaqjes bamirëse të mbajtur..
Në mëngjesin e Krishtlindjes tashmë kudo është përhapur lajmi më i gëzueshëm në Tokë se ka lindur i biri i Zotit, prandaj dita është e veçantë dhe duhet festuar me vëmendje të veçantë dhe me shumë rite festive. Pas natës së qetë dhe të shenjtë, kur..
Në prag të Lindjes së ndritur të Krishtit – Natën e Buzmit, Shenjtëria e Tij Patriku Bullgar Daniill dhe Mitropolit i Sofjes iu drejtua të gjithë fëmijëve të Kishës sonë Ortodokse. “Në lutje të qeta, të mbledhur rreth vatrës së ngrohtë të shtëpisë,..
Në mëngjesin e Krishtlindjes tashmë kudo është përhapur lajmi më i gëzueshëm në Tokë se ka lindur i biri i Zotit, prandaj dita është e veçantë dhe duhet..
Vazhdon edicioni i 22-të i "Krishtlindjeve bullgare" nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Bullgarisë. Këtë vit, fushata është në mbështetje të..