Më 6 dhjetor Kisha jonë Ortodokse nderon kujtimin e Shën Nikollaj Mrekullibërësit. E quajnë atë shenjtorin e mëshirës, sepse e gjithë jeta e tij iu kushtua mbështetjes së të varfërve, të vuajturve, të pafajshmëve dhe të padrejtëve. Fjalët e tij patën një ndikim të mahnitshëm te njerëzit, ashtu si pamja e tij, e mbështjellë nga hiri i Perëndisë.
Me veprat e tij të mira dhe shembullin e tij, Shën Nikollaj i ktheu të pandriçuarit te Zoti dhe i forcoi të krishterët në besim. Ai ndihmonte fshehurazi dhe bënte shumë mrekulli. Ai ishte mishërimi i urdhërimit të Krishtit: “Por kur të japësh lëmoshë, dora jote e majtë të mos e dijë çfarë bën e djathta, në mënyrë që lëmosha jote të mbetet e fshehtë” (Mateu 6:3-4).
Sipas At Vasilij Sarjan, kreut të Kishës “Shpërfytyrimi i Shenjtë” në kryeqytet, mëshira ka qenë gjithmonë një thelb të qenësishëm që Zoti pret nga ne. “Edhe në të kaluarën e largët që para Krishtit, ajo ishte një pjesë e jetës së njerëzve”, theksoi At Vasilij në një intervistë për Radio Bullgarinë.
“Sigurisht, kohët kanë qenë shumë mizore, shumë kritike dhe shkatërruese për njerëzimin, por me siguri për ne si krijesa e Zotit është në natyrën dhe shpirtin tonë të jemi të mëshirshëm. Jo rastësisht Zoti thotë, jini të mëshirshëm, siç është i mëshirshëm edhe Ati juaj qiellor. Ne jemi krijim i Zotit, pra, pasi Zoti është dashuri edhe ne jemi dashuri. Pasi Zoti është i mëshirshëm, ne mbajmë mëshirë brenda nesh. Por për fat të keq, për shkak të rrethanave të jetës, kjo mëshirë nuk shfaqet në marrëdhëniet njerëzore, sepse mëshira kërkon virtyte të pabesueshme - kërkon besim, dashuri, përkushtim. Kërkon të vendosësh tjetrin para vetes. Këto janë shumë e shumë virtyte që, për fat të keq, vështirë se mund të mblidhen në një person në botën moderne.”
Kur mendja është e zhytur në rutinën e përditshme, është e vështirë të shkëputesh nga shqetësimet e veta. Prandaj, shpesh ndodh që mëshia të tregohet gjatë fushatave rreth festave të mëdha të krishtera. Në këto raste duket se diktohet nga nevoja për të pastruar ndërgjegjen tonë. Atëherë mungon ndjenja e parezervë dhe vetëmohuese e mëshirës, që kërkohet nga ne të krishterët, vëren At Vasilij dhe shton se mëshira nuk është në fuqinë e një personi:
"Një njeri mund të jetë i mëshirshëm me dikë të afërt, një të njohur, një fqinj, një mik, por këto janë marrëdhëniet e vogla njerëzore. Kjo është shumë më e zakonshme se një mëshirë globale, e cila të jetë në nivel njerëzor, në një nivel tradicional, në nivel kombesh. Shohim që edhe nëse ka, sërish ose është fushatë, ose ka ndonjë qëllim egoist, ose ka interesa të tjera. Në pamje të parë shohim se ajo që po bëhet është shumë e hirshme dhe e mirë, por në një fazë të mëvonshme zbulohet se nuk ishte vetëmohuese. Dhe kjo është në të gjithë botën, sepse nuk mund të ketë njerëz në botë që vuajnë, për disa ka, dhe për të tjerët nuk ka - ose ka për të gjithë, ose nuk ka për askënd. Prandaj, mëshira është një çështje shumë e vështirë, veçanërisht në botën moderne, megjithëse duhet të jetë edhe më e lehtë. Në botën moderne, të gjithë mund të tregojnë mëshirën e tyre dhe të ndihmojnë njerëzit edhe nga fundi i botës. Me vetëm një klikim të miut, ju mund të dhuroni fonde, mbështetje ose çfarëdo tjetër për njerëzit që as nuk ju njohin. Por ne shohim se kjo është shumë e rrallë dhe kërkon shumë përpjekje.”
Sipas At Vasilit, mëshira mund të kultivohet nëpërmjet shembullit që prindërit i japin fëmijës së tyre. “Edukimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të formuar virtyte te njeriu dhe kjo nis që në ditën e parë të familjes, nga dashuria, mirëkuptimi familjar”, thekson prifti.
“Prindërit dhe të afërmit – ata vetë, duke pasur këto virtyte si dashuria, mëshira, përgjegjshmëria, filantropia, nuk mund të mos ia kalojnë fëmijës së tyre, që edhe ai t’i përfitojë ato. Sado e vështirë, sigurisht, sepse në momentin, në të cilën ky fëmijë del në rrugë, ai do të shohë të kundërtën, ai do të shohë agresion, keqdashje, vjedhje. Ai do të shohë sjellje çnjerëzore të njerëzve të tjerë. Nëse prindërit, të afërmit, familja, e cila është më e rëndësishmja, kanë arritur të hedhin rrënjë të forta në këto virtyte, ata do ta ndihmojnë këtë fëmijë të përballojë çdo gjë.”
Dhe nëse në të kaluarën prindërit mbështeteshin edhe në shkollë për të plotësuar edukimin prindëror, në botën e sotme arsimi jep vetëm njohuri. Fëmijët nuk mësojnë etikën e marrëdhënieve njerëzore, "ata nuk e dinë se çfarë është të kuptuarit, virtyti", vëren At Vasilij dhe shton: "Po vijnë kohët kur duhet të mbështetemi gjithnjë e më shumë në mëshirën e Zotit. Do të duhet të mbështetemi gjithnjë e më shumë te Zoti. Duke parë se si bota gjithashtu abdikon nga vlerat, nuk mbetet gjë tjetër veçse t'i kërkojmë Zotit të na ndriçojë dhe të na jap arsye."
Lexoni më shumë mbi temën nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA, BGNES, Shkolla e së Dielës në Kishën "Shën Nikolla Mrekullibërës", Smoljan / Facebook, arkiv
Vullnetarë përfshihen në pastrimin dhe rimëkëmbjen e manastirit “Shën Spas” pranë majës Bakaxhik në rajonin e qytetit Jamboll të Bullgarisë Juglindore. Aksioni u organizua më 2 nëntor nga kryebashkiaku i fshatit të afërt Çargan, Stoimen..
Në vitin 1847, në familjen e Hristo Ivanov Bankovit - një njeri i urtë nga një familje e vjetër dhe mjeshtër i të ashtuquajturave “eminii” (pantofla), në një nga mëhallët e qytetit të Gabrovos (Bullgaria Qendore) lindi djali i dytë i Hristos...
Muzeu Historik Rajonal në Razgrad më 30 tetor në lidhje me mbylljen e sezonit turistik organizon një xhiro falas në Rezervatin Arkeologjik "Abritus". Gjatë gjithë ditës, ata që dëshirojnë të eksplorojnë Abritusin e lashtë do të shoqërohen dhe do të..