Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Programet e shkëmbimit të studentëve lidhin Universitetin е Veliko Tërnovos me shkollat e së dielës jashtë vendit

Foto: uni-vt.bg

Ndihma metodologjike, trajnimi i mësuesve, takime dhe programe edukative në gjuhën dhe kulturën bullgare për studentët - këto janë vetëm disa nga mënyrat se si komuniteti akademik i Universitetit të Veliko Tërnovos "Shën Kirill dhe Metodij" arrin tek shkollat bullgare të së dielës jashtë vendit. Disa nga programet e universitetit kanë për qëllim studimin e gjuhës bullgare për njerëzit në një mjedis gjuhësor të huaj që duan të ruajnë lidhjen me atdheun e paraardhësve të tyre.

Lidhja midis Bullgarisë dhe shkollave bullgare të së dielës që ndodhen afër, por edhe ato që janë të shpërndara larg nëpër botë, po forcohet përmes Programit Kombëtar për Zhvillimin e Studimeve të Gjuhës Bullgare, në kuadër të aktiviteteve ndërkombëtare të Universitetit të Veliko Tërnovos, si dhe përmes " Programit Erasmus +”, i cili i ndihmon studentët të zgjedhin praktikën mësimore pikërisht në vendet ku mësohet bullgarishtja.

Pedagogët e universitetit kanë shumë për të mësuar nga arritjet e shkollave bullgare të së dielës, në të cilat mësuesit janë shpesh njerëz të profesioneve të ndryshme, të cilët megjithatë me dëshirë ua përcjellin njohuritë e gjuhës amtare dhe të historisë fëmijëve që rriten jashtë vendit. "Qëllimi ynë i përbashkët, i profesorëve të universitetit dhe i mësuesve, është që në fund të fundit këta fëmijë një ditë të kthehen në atdheun e tyre dhe të kontribuojnë në zhvillimin e tij. Në këtë botë globale, pavarësisht se ku ndodhet një person, ajo që na bashkon më shumë është identiteti kombëtar dhe vlerat tona të përbashkëta. Dhe nga këto, arsimi është një nga më të rëndësishmet", thotë Prof. Asoc. Dr. Anna Ivanova, zëvëndësrektore e Universitetit të Veliko Tërnovos "Shën Kirill dhe Metodij".

"Problemet që kanë shkollat bullgare të së dielës janë të shumta dhe të ndryshme, sepse këto shkolla janë të shpërndara në të gjithë botën. Janë mbi 350 shkolla dhe rreth 250 financohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës /MON/, pjesa tjetër duhet të mbështetet në të tjera burime. Më së shumti nuk ka burime të mjaftueshme mësimore, mësues, vullnetarë entuziastë për t'u përfshirë në këto aktivitete. Dhe gjëja më e vështirë është të merret parasysh që ata janë në një mjedis të tillë ndërkulturor. Universiteti ynë u jep mundësi mësuesve të këtyre shkollave që të plotësojnë kualifikimet e tyre përmes kurseve të specializuara /online/, në mënyrë që të jenë të përgatitur për këto sfida, të paktën pjesërisht. Por për ne, shkëmbimi i ideve dhe reagimeve është shumë i rëndësishëm, nga pikëpamja akademike".

Mësuesit e shkollave të së dielës kanë përfunduar arsimin e lartë në vende të ndryshme, kanë fituar eksperienca të ndryshme dhe shumë herë mund të shohim ndryshimin e vazhdueshëm të pedagogëve jashtë vendit. Nisur nga këto rrethana, Universiteti i Veliko Tërnovos ofron shkëmbim stafi dhe trajnime shtesë për mësuesit. Nëpërmjet programeve të shkëmbimit të studentëve, shumë të rinj të motivuar hyjnë në shkollat e së dielës, të përgatitur për të punuar me fëmijë të moshave të ndryshme, shpjegon Prof. Asoc. Dr. Anna Ivanova.
Java e Gjashtë Ndërkombëtare Erasmus+ Shkollat ​​bullgare jashtë vendit (2024)
Kjo mënyrë bashkëpunimi me shkollat e së dielës është zhvilluar më tej nga Universiteti i Veliko Tërnovos përmes traditës së organizimit të javës verore Erasmus, që i kushton rëndësi nevojave të arsimit jashtë vendit. Në vitin 2024 u mbajt java e gjashtë e tillë me radhë. “Çdo herë takimet i dedikohen një teme të ndryshme, me fokus organizimin e praktikave studentore dhe shkëmbimin e përvojave mes studentëve dhe pedagogëve”, thotë Prof. Asoc. Anna Ivanova dhe vazhdon:

"Gjithmonë ka tema që i kushtohen metodologjisë së mësimdhënies. Dhe gjithashtu tema dedikuar aktiviteteve kulturore dhe jashtëshkollore. Përveç kësaj, ka edhe një temë që lidhet me burimet që janë më të përshtatshme për edukimin e fëmijëve. Pra, tashmë kemi gjashtë vjet që po realizojmë këto iniciativa”.

Një nga qëllimet në punën praktike të Universitetit të Veliko Tërnovos është zhvillimi i metodologjisë së mësimdhënies në shkollat tona jashtë vendit. Çështja e krijimit të një standardi të përbashkët për mësimin e bullgarishtes ku ajo studiohet si gjuhë e huaj ka qenë prej kohësh ndër çështjet e diskutuara nga specialistët. Megjithatë, është shumë e rëndësishme që çdo shkollë të ketë burimet e veta për t'i përdorur në procesin e punës. "Çdo libër në gjuhën bullgare mund të jetë një burim i tillë. Ne e vumë re këtë dhe organizuam një dhurim të librave për fëmijë për çdo shkollë të së dielës që na viziton gjatë kësaj jave të Erasmus", na thotë më tej Prof. Asoc. Dr. Anna Ivanova:

"Fushata filloi në mars të vitit 2024 dhe ishte aktive deri në fund të qershorit. Në të mori pjesë fjalë për fjalë i gjithë universiteti. Në fund, ne mblodhëm mbi 330 botime dhe secila shkollë u largua me një pako me libra për fëmijë që të mësohen të lexojnë dhe të kenë aktivitete të ndryshme jashtëshkollore. Përveç kësaj, kolegët e Fakultetit të Pedagogjisë organizojnë punëtori online, të cilat janë fokusuar tek fëmijët bullgarë.

Këtë vit shkollor ne do të organizojmë një nga seminaret në një nivel më të lartë, universitar. Ky është një format ku të shtunave dhe të dielave, studentët dhe mësuesit lidhen me shkollën e së dielës dhe lexojnë së bashku online. Zakonisht lexojmë një përrallë bullgare së bashku, tregojmë gjëegjëza, këndojmë këngë dhe flasim për Bullgarinë dhe historinë e Veliko Tërnovos. Kështu, ne zhvillojmë një orë joformale, e cila u jep nxënësve të shkollave të së dielës mundësinë për të komunikuar në gjuhën bullgare dhe për t'u njohur me kulturën bullgare. Përveç kësaj, studentët mësojnë më shumë për jetën shkollore dhe kjo është një lloj praktike për ta. Ata shohin se si kalon një orë mësimi në klasat bullgare dhe ky është një model nga i cili përfitojnë të dyja palët”.

Foto: uni-vt.bg, Facebook / Universiteti i Veliko Tërnovos "Shënt Kirill dhe Metodij"

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Elizabeth Bleiker nga Zvicra: Bullgaria duhet të mbetet autentike për të intriguar turistët evropianë

Organizata bullgare e hotelerisë dhe restoranteve prezantoi çmimet e saj vjetore për arritjet profesionale në fushën e turizmit, duke vlerësuar punën e zviceranes Elizabeth Bleiker për popullarizimin e vendit tonë si destinacion turistik në tre vende -..

botuar më 25-01-06 7.30.PD

Georgi dhe Maria janë emrat më të zakonshëm në Bullgari në vitin 2024

Emrat më të zakonshëm në Bullgari në vitin 2024 ishin Georgi (140 818) dhe Maria (100 651). Ata pasohen nga Ivani dhe Ivanka, dhe më pas Dimitër dhe Elena, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave. Ndër të sapolindurit vitin e kaluar 2024,..

botuar më 25-01-03 1.51.MD
Foto: Shoqata e Ekipeve të Shkencave Olimpike

91 medalje në shkencat natyrore fituan nxënësit në vitin 2024

Në vitin 2024 nxënësit bullgarë fituan 91 medalje nga olimpiada ndërkombëtare, evropiane, rinore dhe ballkanike dhe garat e shkencave natyrore. 11 prej tyre janë ari, 40 - argjendi dhe 40 - bronzi. Këtë e njoftuan nga Shoqata e Ekipeve Olimpike në..

botuar më 25-01-03 6.55.PD