Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Magjepsja e Shtatë Liqeneve të Rillës

БНР Новини
3
Foto: bg.wikipedia.org

Si rezultat i proceseve erozive akullnajore gjatë Kuaternarit, lart në malin Rilla janë formuar shumë liqene, të cilat janë një element i konsiderueshëm i peizazhit malor. Vargu i Shtatë Liqeneve të Rillës është më i gjati, më piktoresk dhe më i vizituar. Ato janë një prej 100 Objekteve Turistike Kombëtare, na tregon drejtori i Parkut Kombëtar Rilla Krasimir Andonov dhe na shpjegon se çfarë i detyrohet popullariteti i tyre:

LotiAi i detyrohet bukurisë së natyrës. Shumë turoperatorë organizojnë kryesisht vizita verore në rajon. Gjatë muajit gusht në këtë vend ka takim Vëllazëria e Bardhë. Ka rëndësi edhe aksesi i lehtë në saje të teleferikut nga shtëpia malore Pionerska e gjer te shtëpia malore “Liqenet e Rillës”. Kjo kontribuon për rritjen e numrit të turistëve dhe për popullarizimin e destinimit jo vetëm në Bullgari, por edhe në botë.

SyriÇfarë është prejardhja e emrave të liqeneve?

Këta emra janë që nga vitet 30 të shekullit të XX, kur është bërë harta e liqeneve të tërë Rillës. Emrat e tyre kanë të bëjnë me ndonjë shenjë të tyre të jashtme. “Dollnoto Ezero” (“Liqeni i Poshtëm”) është lidhur me vendndodhjen e tij. “Ribnoto Ezero” (“Liqeni i Peshkut”) e ka emrin e vet për shkak të peshkut në ujërat e tij. Emrat e liqeneve të tjera janë lidhur me formën e tyre. Në traditën e Vëllazërisë së Bardhë të lidhur me rajonin që nga viti 1929 çdo liqen e ka emrin e vet në sanskrit. Liqenet shtrihen në një lartësi prej 2535 metrash deri në 2095 metrash mbi nivelin e detit. Liqeni “Sëllzata” (“Loti”) ndodhet më lart. “Okoto” (“Syri”) është i thellë 37.5 metra dhe është më i thelli nga të gjitha liqenet akullnajore në Ballkan. Ai është i njohur edhe me emrin “Sërceto” (“Zemra”). “Bëbreka” (“Veshka”) është liqeni – emblemë e Rillës dhe në Bullgari në përgjithësi. “Bliznaka” (“Binjaku”) me sipërfaqen e tij prej 91 dynymësh është më i madhi dhe më i gjati. Në mes ai shtrëngohet dhe në vitet me reshje të pakta liqeni pothuaj ndahet në dy pjesë. Prandaj e ka këtë emër. Mbi këtë liqen ngrihet maja “Hajduta” (“Hajduti”), ose “Haramia” (“Kaçaku”), e lartë 2465 metra. Liqeni “Trilistnika” (“Tërfili”) ka një formë të padrejtë dhe formon tri gjysmërrethe. Një prej specifikave të Liqenit të Peshkut janë brigjet me bar. “Liqeni i Poshtëm” ndodhet më poshtë dhe që nga ai fillon lumi Xherman.

VeshkaImagjinata e popullit tonë ka krijuar mite dhe legjenda të ndryshme për fenomenet natyrore. A ka të tilla për Shtatë Liqenet e Rillës?

Janë ruajtur shumë legjenda gjatë shekujve të kaluar. Legjenda e parë është lidhur me krijimin e tyre: Para shumë vitesh midis Paniçishte dhe Shtatë Liqeneve të Rillës kishte një fshat të vogël. Atje banonte një vajzë e bukur – Smiljana. Një ditë ajo shkoi te pusi për ujë. Një rreze dielli u pasqyrua në enët e vajzës dhe Dielli u dashurua me të. Që nga kjo ditë e këtej ai mendonte gjithnjë për të. Në mëngjes vajza e priste lindjen e Diellit në pragun e shtëpisë së saj, kurse në mbrëmje e dërgonte. Pasi filloi korrja Smiljana shkoi në rrafshinë për të korrur bashkë me shoqet e saj në trojet e beut vendas. Beu e pëlqeu shumë vajzën e bukur dhe deshi ta përdhunonte. Mirëpo, ajo mbrohej guximshëm dhe e ndëshkuan me varje. Pasi Dielli lindi dhe e pa këtë pamje të ashpër, ai filloi të qante dhe nga lotët e tij të hidhur lindën Shtatë Liqenet e Rillës. Prandaj njerëzit e quajtën ujin e liqeneve “Lotët e Diellit”. Legjenda e dytë është lidhur me ruajtjen e liqeneve. Sipas saj emri i liqenit “Syri” nuk është i rastit. Nëpërmjet tij natyra vëzhgon se çfarë bëjnë njerëzit në rajon. Pasi ata i shkelin ligjet e saj ato ndëshkohen nga “Veshka”. Legjenda rrëfen se si një herë barinjtë, të cilët i kullosnin tufat e tyre në kodrat e afërta, i shkelën këto ligje dhe u ndëshkuan nga “Veshka”. Nga liqeni u ngrit një re e zezë shtrëngate dhe shiu i rrëmbyer asgjësoi mbjelljet dhe bagëtinë. Sipas mitologjisë bullgare çdo një liqen ka një mbrojtës të vet mitik.  Nuk është e rastit se një prej tyre edhe sot e kësaj dite e ka emrin “Hallovitoto” (”Liqeni i Kuçedrës”). Në të kaluarën kanë besuar se në liqen kanë jetuar kuçedra dhe stuhi. Disa liqene të tjera i kanë ruajtur zanat e bukura.

BinjakuA janë studiuar Shtatë Liqenet e Rillës?

Studimet më të hershme janë që nga viti 1890, kur një gjeolog serb – Jovan Cviiç, konstatoi prejardhjen akullnajore të liqeneve. Në periudhën 1930-1932 u zhvilluan studime nga disa shkencëtarë austriakë. Gjatë viteve 50 të shekullit XX u studiuan leshterikët e ujërave të ëmbla. Në vitin 1960 shoqata “Akademika” gjithashtu zhvilloi disa studime. Pas krijimit të territorit të mbrojtur, në vitin 1992, zhvillohen studime shkencore dhe monitorim, të lidhura me habitatet e llojeve të rralla dhe të mbrojtura biologjike të florës, faunës dhe kërpudhave, si dhe të komponentëve biotike të mjedisit.

Përmes reliefit të Shtatë Liqeneve të Rrillës kalon një pjesë e itinerarit Turistik Evropian E4. Për adhuruesit e dimrit ka itinerare të veçanta dimërore.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Fotografi: Wikipedia



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Shtëpia-muze “Nikolla Vapcarov”

Muzeu i poetit Nikolla Vapcarov në Bansko

Vitet e fundit pushimorja e njohur dimërore Bankso zhvillohet dhe po ashtu si një qendër turistike gjatë stinës së verës. Muzetë në Bansko janë shumë interesantë dhe janë hapur gjatë gjithë vitit. Muzetë “flasin” për ngjarjet e rëndësishme lidhur me..

botuar më 14-12-14 12.10.MD
Maja Shipka

Majat Shipka dhe Buzlluxha të cilat pa tjetër duhet të vizitohen

Ka një vend në malin Stara planina, i cili është i shenjtë për çdo bullgari. Kjo është maja Shipka, e kurorëzuar nga Monumenti i lirisë. Ai është njëri prej relikteve më të njohura luftarake që është ngritur për nder të ushtarëve rusë dhe vullnetarëve..

botuar më 14-11-08 11.35.PD

Kompleksi i manastireve “Shën Joan Pagëzori”

Nën numrin 25 në listën e 100 Objekteve Turistike Kombëtare të Bullgarisë renditet manastiri ortodoks “Shën Joan Pagëzori”. Rrënojat e tij dallohen në një kodër të bukur mbi brigjet e lumit Arda, i cili kalon mes përmes qytetit Kërxhali. Vendi i shenjtë..

botuar më 14-10-28 11.25.PD