Natyra këtë vit është më e sjellshme ndaj bletarëve, ajo dha ditë të ngrohta me shi në muajin prill, të cilat krijuan kushte të favorshme për lulëzimin e farës së kolzës vajëse, një nga kulturat e preferuara të mjaltit për insektet. Ditët e ngrohta të majit favorizuan lulëzimin e pemëve të akacies dhe blirit, gjë që kontribuoi edhe në korrjen e mirë të bletarëve. Nga ana tjetër, bletarët nuk presin që viti të ketë rendimente rekorde, por sasitë më të mëdha të mjaltit do t’i lejojnë ata të mbulojnë kostot e shtuara për pajisjen dhe ushqimin e koshereve. Sa i përket tregut – nuk ka dyshim se çmimi i mjaltit do të vazhdojë të rritet deri në fund të vitit.
Dihet se bletaria është një nga sektorët më të pambrojtur, që i nënshtrohet si veçorive klimatike, ashtu edhe trajtimit të fushave me plehra dhe preparate artificiale. Dhe shteti i jep subvencione minimale, thuajse simbolike për sektorin e bletarisë, i cili mbështetet vetëm në tregun vendas për të realizuar prodhimin e tij.
Gjatë pandemisë së Covid, bletarët vunë re një kërkesë më të madhe për produktet e bletëve.Ka një lëvizje në tregun vendas, por jo në atë shkallë që të garantojë të ardhura të sigurta për prodhuesit bullgarë të mjaltit, në mënyrë që ata të mos kërkojnë tregje jashtë vendit.“Mjalti do të shtrenjtohet me 1 - 1.50 leva për kavanoz - tha në një intervistë për BNR Stara Zagora Rostisllav Rashev - Kryetar i Shoqatës lokale të Bletarëve “Lipa” (Bli). - Më i përhapur për momentin është mjalti i mbledhur nga shumë lule, i cili kushton rreth 10 leva (5 euro) për kilogram. Në rajonin tonë të qytetit Stara Zagora (të Bullgarisë Jugore) prodhohet edhe mjalti i pyllit, i cili është pak më i shtrenjtë. Mjalti më i kushtueshëm që ofrohet është mjalti i akacies, i cili varion mes 13 - 14 leva (6.50 - 7 euro). Ne vazhdojmë të zhvillojmë bletarinë organike sepse kemi kushte të mrekullueshme për të në Bullgari. Mjalti ynë shitet shumë mirë në tregjet e jashtme, përderisa konsumimi në Bullgari mbetet i ulët. Në tregun e jashtëm punojmë në kushtet e konkurrencës reale. Ne nuk mund të konkurrojmë me produkte nga Argjentina dhe vende të tjera që kanë një çmim mjaft të ulët. Kjo është arsyeja pse duhet t’u kushtojmë vëmendje faktorëve të tjerë - si rritja e cilësisë, larmia e llojeve të mjaltit. Deri më tani nuk ka treg me shumicë, gjithçka është në pritje dhe kjo është shqetësuese. Ukraina është prodhuesi më i madh i mjaltit në Evropën gjeografike dhe veprimet ushtarake që zhvillohen atje kanë një ndikim serioz në të gjithë tregun evropian. Për fat të mirë, mjalti nuk është një mall që prishet dhe ne mund të presim.”
Për prodhuesit e mjaltit në rajonin e Sofjes, blerja e prodhimit nuk është problem falë tregut të madh në kryeqytet. Megjithatë, problem mbetet një rritje e mprehtë, ndonjëherë spekulative e çmimeve të materialeve konsumuese të bletarisë. Një pengesë e madhe për bletarët është edhe një dobësi e legjislacionit vendas, i cili e trajton mjaltin si produkt shtazor dhe që këtu e tutje vijojnë shumë keqkuptime.
“Në Bullgari, për të shitur mjaltë në rrjetin tonë tregtar, ekzistojnë kërkesa të tilla që i shërbejnë qartë interesave të një lobi të caktuar - thekson Javor Kirillov, një bletar i ri nga fshati Llozen i rajonit të Sofjes.
Mjalti konsiderohet produkt me origjinë shtazore dhe kërkohet të trajtohet termikisht përpara se të ofrohet në dyqane. Kjo është një kërkesë absurde, sepse në një temperaturë më të lartë mjalti humbet vetitë e tij të dobishme. Por kjo bëhet në mënyrë që 7-8 kompani përpunuese të blejnë mjaltin me një çmim të ulët dhe pa asnjë përpjekje të marrin fitimin e madh. Për momentin, nëse në Sofje mund të shes mjaltë me çmime nga 12 deri në 20 leva (6 - 10 euro) për kilogram, rishitësit marrin mjaltë nga prodhuesit për rreth 5 leva (2.50 euro), dhe shpesh me një çmim më të ulët. Më në fund, i njëjti mjaltë arrin te konsumatori ose i holluar me produkte të tjera ose i prishur termikisht, por përsëri me një çmim 12 - 15 leva nga stendat në dyqan. Dhe pas mjaltit të pastër të bletës qëndron shumë punë e bletarëve, shumë kujdes për shëndetin e bletëve dhe në fund fitimi i tyre shkon te tregtarët me shumicë.”
Pikërisht për këtë arsye bletarët janë kategorik se ka ardhur koha që të hiqen kufizimet në ligj dhe që tregjet të bëhen sa më të aksesueshme për prodhuesit e vërtetë të mjaltit. Sa më të ulëta të jenë tarifat dhe regjistrimet për këta persona, aq më mirë do të zhvillohet bletaria në Bullgari.
Ekonomia bullgare u rrit me 2,2% në tremujorin e tretë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, sipas vlerësimit ekspres të Institutit Kombëtar të Statistikave. Konsumi final shënoi rritje prej 4.6%, importet e mallrave dhe shërbimeve u..
Konfederata e Punës “PODKREPA” kritikoi ashpër projekt-amendamentet në Kodin e Punës të përgatitur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, sipas të cilave rritja e pagës minimale lidhet vetëm me inflacionin. Në një deklaratë të përhapur, sindikata..
Prioritetet kryesore të biznesit – anëtarësimi në Eurozonë dhe Shengen me bazë tokësore, mbeten në plan të dytë. Ata janë motorët që mund t'i japin një shtysë ekonomisë dhe mungesa e një qeverie të rregullt i pengon ato të arrihen, tha për BNR..