21 nëntori i këtij viti shënoi një ngjarje të rëndësishme, Festivalin e Parë të Artit Shqiptar në Sofje. Ky është eventi i parë i këtij lloji, që zhvillohet në Sofje, organizimi i të cilit u bë nën patronazhin e Ministrit të Kulturës të Bullgarisë, në bashkëpunim me ambasadën shqiptare dhe me mbështetjen financiare të Fondit Kombëtar "Kultura".
Hapja e eventit u bë në oren 18:00 në Kompleksin e Koncerteve „Bullgaria“, ku ishin të pranishëm organizatorët e tij, përkatësisht ambasadorja shqipëtare Donika Hoxha dhe ministri i kulturës bullgare Velisllav Minekov, të cilët në fjalimet e tyre uruan, që të ketë edhe shumë evente të tjera të këtij lloji, që të shërbejnë si urë lidhëse midis dy popujve.
Natën e parë të eventit njerëzit mund të shijonin ekspozitën e mrekullueshme me veprat e artistëve të shquar bashkëkohorë shqiptarë Emjona Stasi, Arben Kristani dhe Dashamir Gurabardhi.
Emjona Stasi lindur dhe rritur në Shqipëri, e diplomuar në universitetin e arteve në Tiranë, e njohur mbarë vendit dhe jo vetem, vjen për herë të parë në Sofje me këtë ekspozitë me 12 punime të saj.
“Pjesa më e madhe e tyre paraqet qytetin tim të Durrësit edhe unë zakonisht përqendrohem te qyteti i vjetër, te vlerat e qytetit, që janë në zhdukje e sipër, gjë e cila mua më ngacmon shumë dhe më vjen keq, që po zhduken këto vlera.” – thotë ajo. E pyetur në lidhje me ekspozitën, njerëzit bullgarë dhe mikpritjen, ajo thotë se është shumë e kënaqur, ka pasur interes dhe pritja ka qenë shumë e ngrohtë.
Përveç ekspozitës plot ngjyra, në mbrëmjen e 21 nëntorit, në oren 19:00 në sallën e koncerteve „Bullgaria“ u zhvillua edhe një shfaqje me muzikë klasike nga muzikantët e rinj shumë të talentuar. Një prej tyre është dhe Herbert Ahmetaj nga qyteti i Vlorës. Herberti ka mbaruar studimet për violonçel dhe ka 4 vite që punon si mësues violonçel.
“Koncerti ishte shumë i bukur, shkoi ashtu siç ne donim. Përgatitjet ishin të mëdha dhe lodhja gjithashtu, por kur merr kënaqësinë e publikut të gjitha harrohen.” – u shpreh në një intervistë mbas koncertit Elfrida Mema, violinistja 18 vjeçare. Ëndrra e saj është të jetë një soliste shumë e zonja, ose pjesë e një orkestre të madhe ku ta ketë publikun gjithmonë pranë. E pyetur për publikun bullgar dhe pritjen e tij ajo u shpreh: “Shumë i ngrohtë, shumë mikpritës. Me thënë të drejtën na kishin thënë që ishit pak popull i ftohtë, por pritshmëritë tona kaluan.”
Mbrëmja kaloi shumë bukur nën tingujt e muzikës klasike dhe duartrokitjeve të ngrohta dhe të përzemërta të publikut. Festivali i artit shqiptar u mbyll më 22 nëntor me pjesëmarrjen e tre artistëve të shquar shqiptar Merita Rexha Tërshana në piano, Nevila Kalaja Herczegh në violinë dhe Bledar Zajmi në violonçel, të cilët interpretuan vepra shqiptare dhe bullgare.
Ky event ishte i pari, por nuk do të jetë i fundit. Me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor, në orën 19:00, në Operën e Sofjes do të performojnë në një koncert artistët me famë botërore: violinisti Olen Cesari, sopranoja Inva Mula dhe pianisti Genc Tukiçi. Priten mbrëmje të paharrueshme, të cilat shërbejnë jo vetëm si një ushqim për shpirtin, por edhe si urë bashkimi midis kombeve dhe kulturave tona.
Foto: Kostandina Bello
Shkrimtare, përkthyese, gazetare, përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, Milena Selimi nuk rresht së promovuari kulturën, letërsinë, vlerat dhe traditat bullgare. Një nga arritjet e saj profesionale më të fundit është..
Drama biografike 138-minutëshe e Italisë, Francës dhe Spanjës “Limonov” fitoi Çmimin e Madh për Përshtatje Mjeshtërore Letrare në Konkursin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të gjatë Cinelibri . Favoriti u shpall nga kryetarja e jurisë, aktorja..
Pak ditë më parë në qytetin tonë të Detit të Zi Burgas u hap një hapësirë ku arti, shkenca dhe magjia i japin dorë njeri tjetrit. Mysafirët e Muzeut të ri të së Pamundshmes transportohen në botët paralele për të mësuar më shumë rreth universit...
Si një galerie arti në mes të pyllit e përshkruajnë dëshmitarët shatërvanin me belvedere pranë fshatit Konçerajoni i qytetit Momçillgrad të Bullgarisë..