Pasqyrimi mediatik i vizitës së presidentit rumun Kllaus Iohanis në Sofje më 15 mars nuk na befasoi. Presidenca rumune, si zakonisht, e vuri theksin në bisedimet mbi sigurinë, ndërsa pala bullgare e diskutoi bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Gjithashtu bëri përshtypje se lajmi për ngritjen e marrëdhënieve bullgaro-rumune në rangun e partneritetit strategjik nuk tërhoqi vëmendjen e mediave.
Por është pikërisht ideja e një ndërveprimi më të ngushtë bullgaro-rumun që është e re në këtë vizitë. Cila është përmbajtja e kësaj ideje? A ka të bëjë kryesisht me bashkëpunimin në sferën e sigurisë në kontekstin e luftës në Ukrainë? Apo është më tepër ndërtimi i shumëpritur i urave dhe intensifikimi i lidhjeve ekonomike, që do të pasojë?
Çfarë mendojnë ekspertët bullgarë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sigurisë për partneritetin strategjik midis Bullgarisë dhe Rumanisë?
Sipas Vesella Çerneva nga Këshilli Evropian për Politikën e Jashtme, Bullgaria dhe Rumania vazhdojnë të bashkëjetojnë si ishuj dhe ka pak lidhje të ndërsjellë mes tyre. Një partneritet i vërtetë strategjik do të përfshinte intensifikimin e të gjitha llojeve të lidhjeve dhe ndërtimin e të gjitha llojeve të infrastrukturës – jo vetëm urave fizike, por edhe urave midis njerëzve, organizatave, etj., thekson ajo. Por ka edhe një gjë tjetër:
“Partneriteti strategjik është një emërtim që mund të mbushet me përmbajtje përmes mekanizmave të ndryshëm. Janë të ashtuquajturat takime të rregullta të dy qeverive, të cilat Bullgaria i ka mbajtur në të kaluarën, duke përfshirë edhe Rumaninë. Kjo do të thotë një koordinim shumë i ngushtë midis ministrave dhe ministrive të dy vendeve - shpjegoi Çerneva në një intervistë me Vlladimir Mitev nga Redaksia Rumune e Radio Bullgarisë. - Lloji i dytë i mekanizmave janë konsultimet periodike në përgatitje të këshillave evropiane, samiteve etj. Dhe kjo nuk është një praktikë që ne aktualisht e kemi apo e kemi pasur. Por për mendimin tim, një partneritet strategjik me një shtet anëtar të Bashkimit Evropian duhet të përfshijë pikërisht këtë. Dhe blloku i tretë i çështjeve lidhet me tregtinë, infrastrukturën dhe sigurinë, për të cilat një partneritet strategjik do të nënkuptonte koordinim afatmesëm dhe afatgjatë dhe mirëkuptim të përbashkët. Prandaj më duket paksa e çuditshme për momentin të bësh një kërkesë të tillë për një partneritet strategjik, duke qenë se nuk ka parlament, nuk ka qeveri të rregullt, nuk ka vizion për katër vitet e ardhshme, që duhet të ketë një parlament dhe një qeveri, në bazë të cilit vizion mund të zhvillohet tani një partneritet i tillë strategjik me një vend si Rumania. Sigurisht që vizita e presidentit rumun është e mrekullueshme, duhet të ketë më shumë vizita të ndërsjella. Por për momentin, përveç që kjo vizitë është një gjest për Radevin, i cili duket mjaft i izoluar ndërkombëtarisht, a arrin diçka tjetër? Nuk jam shumë e sigurt, duke qenë se një partneritet strategjik kërkon pushtet legjislativ dhe ekzekutiv me horizont të gjatë”, përmbledh Vesella Çerneva.
Jordan Bozhillov nga Forumi i Sigurisë së Sofjes është shumë optimist për atë që po ndodh aktualisht në marrëdhëniet bullgaro-rumune. Një vizitë e tillë nuk ka ndodhur që nga viti 2016, dhe padyshim që do të çojë në ndryshim:
“Kjo është gjëja më e natyrshme – që Bullgaria dhe Rumania të punojnë së bashku në të gjitha sferat. Ekonomia, tregtia dhe konektiviteti janë shumë të rëndësishme. Është shumë e rëndësishme të arrihet një marrëveshje edhe për korridoret e transportit. Por çështjet e sigurisë, të Shengenit - këto janë temat tona të përbashkëta. Thënë këtë, do të bëja apel që të mendohet për zhvillimin e marrëdhënieve në të gjitha drejtimet, jo vetëm në nivelin e presidencës. Duhet të kemi komunikim shumë të mirë, fjalë për fjalë të përditshëm në nivel ministrie. Ne mund të marrim përvojën e vendeve të ndryshme që dërgojnë ekspertët e tyre në ministritë e vendeve të tjera.”
Çfarë saktësisht mund të jetë bashkëpunimi në fushën e sigurisë?
“Çështja më e madhe jo vetëm për rajonin dhe Evropën, por edhe për paqen botërore, për sistemin botëror të sigurisë është lufta në Ukrainë. Kjo luftë po bëhet fjalë për fjalë në kufijtë tanë - thotë Jordan Bozhillov. – Duhet të forcojmë bashkëpunimin në disa drejtime. Së pari, rritja e aftësive të ushtrive bullgare dhe rumune. Kjo mund të bëhet, përmes blerjes së përbashkët të armatimeve dhe pajisjeve, përmes rritjes së bashkëpunimit në stërvitje, përmes më shumë trajnimeve të përbashkëta. Në të njëjtën kohë, ne duhet t’u mundësojmë vendeve të NATO-së, duke vendosur forcat dhe mjetet e tyre në territoret e Bullgarisë dhe Rumanisë, të përcjellin përvojën e tyre. Kjo tashmë po ndodh. Ne kemi trupa të vendeve tona aleate të vendosura në territorin bullgar dhe rumun. Por gjithçka për të cilën po flas duhet të rezultojë në një prani më të fortë të NATO-së në krahun lindor. Kështu, NATO do të garantojë sigurinë e çdo vendi, siç është në Marrëveshjen e Uashingtonit.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNESSipas të dhënave nga exit poll-et e të gjitha agjencive sociologjike, GERB-SDS me lider Bojko Borisov është padyshim forca e parë politike. Vitet e fundit partia është përmbajtur nga komentet para shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ...
Në prag të zgjedhjeve të gjashta të parakohshme parlamentare në më pak se tre vjet, vërehet lodhja e qytetarëve bullgarë nga pashpresa menaxheriale. Një gjë e tillë duket se ekziston edhe në fushën politike – dëshmi është fushata tejet letargjike..
Abdullah Öcalan propozoi bisedime paqeje me PKK nga burgu Lideri i Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), Abdullah Öcalan, i cili po vuan një dënim me burgim të përjetshëm, u vizitua nga një i afërm i tij për herë të parë..
Polemika në Kroaci për dërgimin e personelit ushtarak në misionin e NATO-s në mbështetje të Ukrainës Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i..