Veshje tradicionale të grave dhe objekte të ndryshme nga jeta e bullgarëve nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit të XX-të dekoruan sallat e Muzeut Historik Rajonal në Stara Zagora. Eksponatet janë pjesë e ekspozitës “Bota ime etnografike. Mbledhur dhe ruajtur brez pas brezi nga Rumjana Mehandova”, e cila mund të shihet deri më 2 maj 2023.
“Të ekspozuara janë kryesisht kostume popullore nga rajone të ndryshme të Bullgarisë, ka edhe shumë përparëse me zbukurime të ndryshme gjeometrike, bimore dhe shtazore, peshqirë, mesallë – peshqirë festash që përgatiten për pajën dhe jepen si dhuratë në fejesa, dasma dhe festa të tjera – thotë Rumjana Mehandova në një intervistë me Desisllava Semkovska nga Radio Bullgaria. - Kam treguar jastëkë të thurur dhe enë druri për verë, me imazhet e revolucionarëve tanë Hristo Botev, Vasill Levski, Georgi Sava Rakovski, me lule dhe piktura të tjera.
Ngjyrat e pasura të elementeve të veshjes, dikur të bëra me dorë, plotësohen nga magjia e stolive – gjë që shpreh më së miri moshën, pozitën familjare dhe sociale të gruas bullgare në shoqëri. Elemente që nuk mungonin kurrë nga veshjet tradicionale të grave ishin paftat dhe verdhushkat, të cilat mund të shihen edhe në ekspozitë. Aftësitë dhe imagjinata e poçarëve na shfaqen përmes enëve të ndryshme të ekspozuara.
“Qeramika është tema ime e preferuar dhe dashuria imee vjetër”, thotë Rumjana Mehandova. “Kam ekspozuar rreth 30 gjëra unike, shumë të rralla dhe të vështira për t’u parë edhe në muze”.
Ekspozita në Muzeun Historik Rajonal -Stara Zagora tregon vetëm një pjesë të vogël të koleksionit të pasur të Rumjana Mehandovës, e cila ka mbledhur artikuj të vjetër autentikë të krijuar nga duart e talentuara bullgare për më shumë se 40 vjet. Sot, ajo ndoshta ka koleksionin më të madh privat të sendeve shtëpiake në Bullgari.
"Nuk e di se çfarë më frymëzoi t'i tregoja - pranon Rumjana Mehandova. - Ndoshta në një moment kuptova që kjo pasuri e pabesueshme kombëtare duhet të ndahet me njerëzit. Kjo është një bukuri, një kujtim i paraardhësvetanë që nuk duhet ta mbaj vetëm për vete dhe çdo bullgar që e do historinë tonë, mënyrën tonë të vjetër të jetesës, duhet t'i shohë këto objekte. Nëpërmjet tyre, ndoshta, disa zemra do të preken dhe do të kuptojnë se duhet të jenë krenarë për paraardhësit tanë dhe krijimet e tyre.”Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Fotot janë siguruar nga Rumjana Mehandova dhe Muzeu Historik Rajonal - Stara Zagora, fotograf: Atanas Zhekov
Këngët dhe vallet popullore mbledhin dashamirët e folklorit bullgar në edicionin e radhës të Festivalit të Kostumeve Popullore në Zheravna. Këtë vit aktiviteti do të zhvillohet nga 23 deri më 25 gusht. "Pasi visheni me kostumet popullore dhe..
Holandezja Esther Willems vazhdon të tërheqë njerëz nga qytete dhe kombësi të ndryshme në klubin e saj për vallet popullore bullgare, i krijuar në Hagë dhe i quajtur "Zora". Klubi u themelua në vitin 2017 dhe në të u regjistruan edhe atëherë 13..
Mbrëmjet e kulturës bullgare në Shqipëri po vazhdojnë edhe në muajin gusht. Shfaqjet e para ishin në qershor, kur grupe folklorike nga Bullgaria prezantuan kostume, valle dhe këngë popullore bullgare para teatrit "Aleksandër Moisiu" në qytetin e..