Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Qëndisma dhe qetësi rreth njerëzve të dashur - kjo bëri që Zhasmina Atanasova të kthehej në Bullgari

Dihet se gjatë pandemisë Covid-19, shumë bullgarë preferuan të kthehen në vendlindje. Megjithatë, se sa është numri i tyre dhe nëse do të qëndrojnë përgjithmonë në Bullgari pas përfundimit të krizës - nuk kemi si ta dimë, sepse nuk ka statistika. Historia personale e Zhasmina Atanasovës, e cila pas diplomimit në SHBA, qëndroi atje për rreth 20 vjet, na jep arsye të besojmë se dëshira për të qëndruar në Bullgari ende mbizotëron. Zhasmina tani ndodhet në Bullgari dhe është vendosur përgjithmonë këtu me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre. E reja mund të flasë shumë për lidhjen e saj me atdheun, por kryesisht ajo ka të bëjë me qëndisjen.

Interesi për qëndisjen tradicionale erdhi rastësisht, 8 vite më parë, kur Zhasmina ishte në pritje të fëmijës së saj të parë. Në atë kohë për të, punimi i goblenave ishte si një lloj meditimi, një mënyrë për të qartësuar idetë në kokë, siç thotë ajo vetë. Ndodhi që në San Francisko të Kalifornisë, ku jetonte e reja bullgare në atë kohë, erdhi mjeshtrja e qëndismës tradicionale Iren Veliçkova-Jamami. Aty ajo organizoi një klub për qëndisje për komunitetin bullgar dhe Zhasminës i lindi dëshira për të mësuar qëndisjen me teknikat që përdornin stërgjyshet tona.

Kështu, në SHBA, Zhasmina Atanasova mësoi të bënte një qëndismë speciale tradicionale, e cila përdoret shpesh në kostumin tonë popullor. Më pas zbuloi se në të njëjtën mënyrë ishin bërë edhe mbulesat e tavolinës që ruheshin në sëndukët e gjyshes. “Është shumë e këndshme qëndistaria, sepse punimet bullgare rrezatojnë një energji shumë të mirë”- thotë Zhasmina Atanasova dhe vazhdon:

“Mësohet shumë shpejt kur qëndisja të shpiegohet nga një ekspert, por është gjithashtu e rëndësishme të kesh dëshirë dhe zanati vidhet siç themi ne, kështu që njeriut nuk i duhet shumë për të mësuar”. Iren Veliçkova-Jamami na la secilit nga një mostër dhe më pas unë vazhdova të praktikohem duke u bazuar në të. Deri atëherë kisha punuar më së shumti goblena, të cilat janë të mëdha si piktura, por tani dua t'i përkushtohem tërësisht qëndismave bullgare, sepse janë shumëngjyrëshe.

Jasmina thotë se edhe në atë pak kohë të lirë që ka, nuk shikon televizor, por ulet të qëndisë. Është planifikuar të bëhet një ekspozitë e vogël me motive të ndryshme qëndistari, karakteristike për rajone të ndryshme të Bullgarisë. "Dua t'i vendos në një kornizë dhe t'i lë të ndriçojnë shtëpinë time", thotë bashkatdhetarja jonë për Gergana Mançevën dhe Radio Bullgarinë.

“Ka ndodhur që unë dhe një nënë tjetër të ulemi në park, të qëndisim dhe të flasim – një moment i tillë është magjik për mua. Për mua, punimet me gjilpërë janë më interesante sesa të lundroj në internet. Në SHBA kam takuar edhe gra që thurin, por vetë qëndisjet u bëjnë shumë përshtypje. Gjithçka është çështje dëshire, e kam parë në punishten e Irene Jamamit se sa bukur qëndisin femrat japoneze dhe nuk janë të rralla as rastet e meshkujve të apasionuar pas qëndisjes. Nëse një person apasionohet, nuk ka rëndësi se çfarë gjinie apo profesioni ka - kjo është një hobi, të çliron nga stresi dhe të mbron nga mendimet e këqija”.

Për kthimin e saj në Bullgari tre vjet më parë, Zhasmina thotë se ka ndodhur rastësisht. Të gjithë po punonin online dhe nuk kishin mundësi të udhëtonin dhe të takoheshin me miq. Atëherë ajo dhe bashkëshorti i saj amerikan, rizbuluan avantazhet e jetës në Bullgari. Ata e regjistruan djalin e tyre në një shkollë bullgare dhe ndërkohë në Sofje lindi fëmija i dytë. “Jeta këtu ka shumë përparësi, këtu takoj miq dhe njerëz të afërt, kështu që tani do të qëndrojmë në Bullgari” – thotë e reja bullgare që zgjodhi rrugën e kthimit për në vendlindje.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: arkiv personal, Gergana Mançeva





Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një delegacion shtetëror bullgar sjell në Vatikan simbolet bullgare të paqes dhe unitetit shpirtëror

Çdo vit në prag të festës së vëllezërve të shenjtë Kiril dhe Metodi, të alfabetit, arsimit dhe kulturës bullgare dhe letërsisë sllave - 24 maj, një delegacion bullgar i kryesuar nga kryetari i Kuvendit ose kreu i shtetit priten në audiencë nga kreu i..

botuar më 24-05-21 7.30.PD
Shoshana Baruh

Byrek me djathë, dhallë dhe tarator - Shoshana dhe mëngjesorja e saj bullgare në Brazil

Casa Bulgara ose Shtëpia Bullgare zë një vend kryesor në guidat e kuzhinës në São Paulo - qyteti më i madh në Brazil me mbi 12 milionë banorë. Mëngjesorja ka gati gjysmë shekulli që ndodhet në të njëjtën adresë dhe është në pronësi të 75-vjeçares..

botuar më 24-04-30 7.20.PD

Aktori Icko Finci në moshën 91-vjeçare – një jetë që vazhdon të befasojë çdo ditë

Ichak Finci ka lindur më 25 prill, pjesë e të ashtuquajturit “brezi i artë” i aktorëve bullgarë. Për udhëtimin e tij 91-vjeçar në tokë, Icko Finci le gjurmë të dallueshme në jetën teatrale, filmike dhe kulturore bullgare. Ai ka lindur në Sofje,..

botuar më 24-04-25 7.30.PD