Nënpresidentja e Bullgarisë Ilijana Jotova u takua në Presidencë me ambasadorin e ri të Kosovës në vendin tonë, Shkëlqesia e tij Haxhi Bajraktari, njoftoi zyra për media e institucionit. Ndër temat kryesore të bisedës ishin garantimi i paqes dhe sigurisë në Ballkan, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe të drejtat e komunitetit bullgar në Kosovë. Ilijana Jotova dhe Haxhi Bajraktari ranë dakord se nevojitet një aktivitet më i madh për realizimin e bashkëpunimit dypalësh në sfera të ndryshme.
Ambasadori i Kosovës falënderoi shtetin bullgar për qëndrimin e tij konsistent në mbështetje të paqes në vendin ballkanik dhe të integrimit të tij ndërkombëtar dhe evropian. Nënpresidentja Jotova kujtoi se në vitin 2018 Bullgaria e vendosi temën e së ardhmes evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor në fokus të Presidencës së saj të Këshillit të Bashkimit Evropian. “Nëse nuk ka stabilitet dhe paqe në Ballkan, nuk ka stabilitet dhe paqe për të gjithë Evropën”, theksoi nënpresidentja.
U diskutua edhe për të drejtat e komunitetit bullgar në Kosovë dhe hapat konkretë për njohjen e tij, si dhe për përfshirjen e tij në Këshillin Konsultativ të Presidentit të Kosovës. Haxhi Bajraktari siguroi Ilijana Jotovën se autoritetet e vendit do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar presionin mbi vetëvendosjen e qytetarëve të Kosovës me vetëdije bullgare gjatë regjistrimit të ardhshëm të popullsisë.
Në fund të takimit, Ilijana Jotova sugjeroi që në Sofje të organizohet një festival ballkanik, i cili do të prezantojë kulturën e popujve ballkanikë, me theks në komunitetet bullgare që jetojnë në Ballkan.
Më herët sot u njoftua se për herë të parë një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Bullgarisë, i kryesuar nga zëvendësministrja Ivelina Dundakova, është për një vizitë pune në Kosovë, ku Bardil Dobra, zëvendësministër i MPB-së së Kosovës, përgjegjës për reforma, ka mbajtur një takim, informoi BTA.
Gati 15 000 njerëz në Kosovë kanë identitet bullgarë. Në parlamentin e Prishtinës në 5 vitet e fundit janë dorëzuar 2 peticione me kërkesë që bullgarët të njihen si pakicë kombëtare dhe të përfshihen në Kushtetutën e Kosovës.
Lexoni më shumë:
Pothuajse një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 27 tetorit, Legjislatura e 51-të të Kuvendit Popullor ende nuk mund të fillojë punën sepse përfaqësuesit e popullit nuk mund të zgjedhin të parin mes të barabartëve. Ngërçi politik në..
Përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet me "efekt të vonuar" - pasi vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska ia bëri këtë propozim kreut të shtetit Rumen Radev në..
Athina do të modernizojë ushtrinë greke deri në vitin 2030 Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, prezantoi para partive në parlament planin e ndryshimeve në ushtri. Reformat do të përfshijnë të tre llojet e trupave. Deri në vitin 2030 Do..