Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tema nga radio rrjeti evropian "Euranet Plus"

Uji si e drejta e njeriut - BE-ja paraqet një plan ambicioz veprimi në OKB

Stojan Mihov (WWF): Ka shumë lumenj në Bullgari, por ata kanë sasi të vogla uji

Foto: arkiv

Uji zë mbi 70 për qind të sipërfaqes së planetit. Dhe megjithëse jetojmë me ndjenjën se ky është një burim i pashtershëm, sipas të dhënave të OKB-së, vetëm 1 milion njerëz në Evropë nuk kanë akses në një burim të sigurt uji. 8 milionë ende nuk kanë kanalizim në Kontinentin e Vjetër.

Në nivel global, statistikat janë edhe më befasuese – 780 milionë njerëz pa akses në ujë dhe më shumë se 2 miliardë pa kanalizime.

"Siç e dini, uji është një e drejtë themelore e njeriut, por ende shumë njerëz në mbarë botën jetojnë pa akses në një burim të sigurt të ujit të pijshëm dhe kanalizime. Pandemia e Covid-19 na kujtoi se uji i pastër dhe higjiena janë një mënyrë e thjeshtë dhe efektive për të parandaluar infeksionin dhe sëmundjet. Por më se gjysma e popullsisë jourbane në disa zona të botës nuk ka pajisje për larjen e duarve."

Këtë e tha nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Ekonomike dhe Sociale, Li Junhua, para konferencës kushtuar ujit.

Ajo do të fillojë pikërisht më 22 mars, kur është edhe Dita Botërore e Ujit. Në konferencën e OKB-së, Bashkimi Evropian do të prezantojë një program ambicioz veprimi, i cili synon të sigurojë akses në burimin më të rëndësishëm për të gjithë njerëzit në Komunitet, veçanërisht grupet e rrezikuara. Ja se cilat janë pikat kryesore në të:

Bashkimi Evropian është i angazhuar t'u sigurojë 70 milionë njerëzve akses në burime të përmirësuara të ujit të pijshëm dhe kanalizime deri në vitin 2030.

Përsëri, deri në fund të dekadës, Evropa duhet të përgjysmojë mbetjet plastike që hyjnë në dete dhe 30 për qind mikroplastikë të lëshuar në mjedis. Një hap i rëndësishëm për këtë temë është bërë tashmë me ndalimin nga BE-ja të plastikëve të vogla për përdorim të njëfishtë.

Nuk e dimë fare sasinë e mbetjeve në dete. Dimë vetëm se një për qind e tyre gjendet në sipërfaqe, si mbeturina, dhe gjithçka tjetër zhytet në ujëra dhe shkon në shtratin e detit. Të kuptosh më mirë problemin do të thotë të jesh i vetëdijshëm për mikrogrimcat plastike dhe nanoplastikët - çfarë ndikimi kanë ato në mjedis dhe në jetën detare. A janë gëlltitur nga peshqit? Mbetjet gjenden, për shembull, në molusqe.” Kështu ka komentuar eurodeputetja Catherine Chabaud nga “Rinovo Evropën”.

Meqenëse ndryshimi i klimës dhe fatkeqësitë natyrore që ai shkakton nuk njohin kufij gjeografikë, BE-ja do të inkurajojë bashkëpunimin midis vendeve për të trajtuar rreziqet e përbashkëta, si thatësira ose përmbytjet.

Brukseli është gjithashtu i përkushtuar për mbrojtjen dhe restaurimin e ekosistemeve detare dhe lumore dhe biodiversitetit. Barrierat artificiale, si digat për shembull, konsiderohen si problemi kryesor në lumenj. Ato e bëjnë të pamundur kullimin e sedimenteve, duke çuar në bllokime dhe ndryshim të habitateve.

Kujtoj që strategjia e biodiversitetit i ka vendosur tashmë vetes synimin për të rivendosur të paktën 25 mijë km lumenj me rrjedhje të lirë deri në vitin 2030 duke hequr barrierat. Humberto Delgado Rosa - Drejtor për Biodiversitetin në Drejtorinë e Përgjithshme për Mjedisin pranë Komisionit Evropian shpjegoi:

"Përshtatja e një pjese të lumenjve të Evropës në regjimin e rrjedhjes së lirë sigurisht që do të ndihmojë në arritjen e një efekti të mirë mjedisor, në përputhje me Direktivën e Ujit." Në nivel të Bashkimit Evropian, ne kemi identifikuar mbi 1 milion barriera në lumenjtë evropianë, disa prej të cilave janë absolutisht të nevojshme. Megjithatë, sipas studimeve, rreth 20 për qind e tyre janë të panevojshme dhe sjellin më shumë dëm sesa dobi. Prandaj, ne propozojmë që të restaurohen 25 mijë kilometra lumenj me rrjedhje të lirë, që është vetëm një pjesë e vogël e këtyre 20 për qind, afërsisht një për qind- një përqind e gjysmë. Për Bashkimin Evropian, ky është ende një objektiv ambicioz, por i arritshëm.

Një tjetër prioritet i rëndësishëm i parashikuar në program deri në fund të dekadës është përmirësimi i cilësisë së ujit duke përgjysmuar ndotjen që vjen nga bujqësia dhe përdorimin e pesticideve.

Kjo përfshin gjithashtu plotësimin e listës së substancave që duhet të monitorohen në ujë dhe të kufizohen nëse e dëmtojnë shëndetin.

BE planifikon gjithashtu të përmirësojë sistemet e monitorimit të ujërave të zeza për praninë e substancave të rrezikshme për shëndetin publik, të tilla si gjurmët e Covid-19, për shembull. Këto angazhime do të sigurohen financiarisht përmes programeve dhe fondeve të ndryshme për të arritur objektivat e dëshiruara mjedisore deri në fund të dekadës.

Efekti negativ i ndryshimeve klimatike mund të zvogëlohet me një menaxhim më të mirë të ujit, tha Stojan Mihov - drejtues i programit "Ujërat" në zyrën bullgare të Fondit Botëror të Kafshëve të Egra (WWF):

Fenomenet ekstreme, si përmbytjet dhe thatësirat, janë shumë të mundshme në çdo pikë të planetit, përfshirë Bullgarinë. Vitet e fundit janë vërejtur pikërisht këta skenarë – përmbytje të rënda dhe pas tyre thatësirë. Është e vështirë të thuhet se si të mbrohemi nga kataklizma të tilla shumë serioze, por më tepër gjërat varen nga përmirësimi i menaxhimit të ujit. Sepse ekzistojnë mekanizma që mund të zbusin ndikimin e këtyre dukurive ekstreme dhe ato shpesh bazohen në natyrë. Janë marrë si shembull nga natyra, por për fat të keq, prapëseprapë, nuk zbatohen shumë mirë jo vetëm në Bullgari, por edhe në shumë vende të tjera të botës.

Një shembull i një zgjidhjeje të tillë të bazuar në natyrë është lënia e më shumë hapësire për lumenjtë. Kur hiqen digat dhe pengesat nga anët e lumit, gjatë një përmbytjeje lumi mund të derdhet në një zonë më të gjerë, duke e përmbytur atë përkohësisht dhe duke mbrojtur kështu vendbanimin poshtë vendit ku ndodh përmbytja. Për momentin, shumica e lumenjve në Bullgari janë të futura në kanale të ngushta, të cilat nuk mund të kryejnë këtë funksion natyror të reduktimit të rrezikut nga përmbytjet”.

Sipas Stojan Mihov, kjo lidhet me Strategjinë e BE-së për Biodiversitetin, e cila synon të rivendosë 25 mijë km lumenj me rrjedhje të lirë deri në fund të dekadës:

Tri nga problemet më serioze që kemi në Bullgari dhe në mbarë botën me lumenjtë janë së pari lidhja anësore e lumit, pra lidhja e lumit me territorin përmbytës rreth tij – ajo që i pengon përmbytjet. Problemi tjetër është se lumenjtë kanë diga përtej tyre, të cilat gjithashtu krijojnë shumë rreziqe përmbytjesh për njerëzit dhe bllokojnë rrugën e peshqve dhe kafshëve të tjera detare përgjatë lumit. Një pjesë e madhe e kafshëve në të nuk mund të arrijnë në vendet e tyre të të ushqyerit ose të riprodhimit.

Ka një lidhje shumë serioze edhe me të ashtuquajturën Direktiva kornizë për ujërat që Bullgaria duhet të zbatojë dhe ne jemi të detyruar të bëjmë plane për menaxhimin e pellgjeve lumore, por fatkeqësisht si shtet nuk arrijmë të përballemi mirë me këtë direktivë dhe aktualisht ka dy procedime penale kundër Bullgarisë në lidhje me menaxhimin e ujërave.

Për shkak të barrierave të vendosura në lumenj, tashmë ka specie të zhdukura dhe të rrezikuara peshqish, theksoi Stojan Mihov.

Peshku bli në lumin Danub është një nga shembujt më drastikë të vendosjes së barrierave të tilla. Digat hidroelektrike “Porta e Hekurt”, muri i digës midis Serbisë dhe Rumanisë, i cili ua preu zonën e mbarështimit dhe tashmë ka dy lloje të blirit të zhdukur dhe katër të thera, ku kanë mbetur ekzemplarë të vetëm, në prag të zhdukjes.

Sipas tij, në Bullgari ka shumë lumenj, por ata kanë sasi të vogla uji:

Në Bullgari mendohet se vendi ynë është shumë i pasur me burime ujore. Kjo, në fakt, nuk është kështu. Jemi nën mesataren evropiane për sa i përket pasurisë ujore për frymë të popullsisë.”

Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Magji festive me këngë, valle dhe takime me Plakun e Krishtlindjeve në Qytezën e Festave të Fundvitit në Pleven

Banorët e qytetit Pleven të Bullgarisë Veriore do të përcjellin vitin 2024 me një Qytezë Krishtlindjesh dhe takime me Plakun e Krishtlindjeve. Programi i sivjetshëm festiv i bashkisë do të nisë më 2 dhjetor me ndezjen ceremoniale të Pemës së..

botuar më 24-12-01 6.55.PD

Bullgaria bëhet vendi i katërt evropian që zbaton inovacione për trajtimin e plagëve kronike

Një risi për trajtimin e këmbës diabetike me indet e vetë pacientit dhe inteligjencën artificiale u zbatua në Spitalin e Përgjithshëm Universitar për Trajtim Aktiv (UMBAL) Burgas, njofton institucioni shëndetësor. Bëhet fjalë për një qasje të re..

botuar më 24-11-30 5.15.MD

WWF Bullgaria i kushton vëmendje mbrojtjes së arinjve

Gjatë javës së Ditës së Ariut , WWF tërheq vëmendjen mbi gjashtë arinj jetimë të cilëve iu dha një shans i dytë për jetë. Nisma është pjesë e fushatës "Abonohu ​​për Natyrën" dhe ndjek historinë e gjashtë arinjve të shpëtuar, Huba, Vihër, Goran,..

botuar më 24-11-30 7.30.PD