Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tema nga radio rrjeti evropian "Euranet Plus":

Parlamenti Evropian votoi aktin legjislativ për mediat

Eurodeputeti sllovak Vladimír Bilčík: "Kemi nevojë për aktin veçanërisht pas fitores së Ficos në zgjedhje"

Foto: Pixabay

Parlamenti Evropian votoi javën e kaluar mbi Aktin Evropian të Lirisë së Medias. Qëllimi - garantimi i pluralizmit mediatik në BE dhe mbrojtja e pavarësisë së mediave nga ndërhyrjet qeveritare, politike, ekonomike apo private. Kështu duket gjendja me mediat në Komunitet sipas eurodeputetes bullgare nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve Elena Jonçeva.

Mediat e kontrolluara, presioni ndaj gazetarëve nga pushteti dhe interesat e biznesit, shkrirja mes pushtetit politik dhe medias – ky është realiteti sot në Evropë dhe rënia e besimit në mediat publike dhe private po arrin logjikisht pikën e saj kritike. Qëllimi i Aktit evropian të Lirisë së Medias, nuk është censurimi apo rregullimi i medias, qëllimi është të krijohen kushte për gazetari të pavarur."

Disa nga propozimet - të ndalohen të gjitha format e ndërhyrjes në vendimet editoriale të mediave, si dhe presioni i jashtëm ndaj gazetarëve në mënyrë që ata të mos detyrohen të zbulojnë burimet e tyre, të mos lejohet akses në përmbajtjen e koduar në pajisjet e tyre elektronike dhe mbikëqyrja me softuer. Përdorimi i tij do të lejohet vetëm nëse ka një urdhër nga një autoritet i pavarur gjyqësor për shkak të një hetimi për një krim të rëndë, si terrorizmi ose trafikimi i qenieve njerëzore.

Parlamenti dëshiron të detyrojë të gjitha mediat të publikojnë informacione për strukturën e tyre të pronësisë. Mediat, duke përfshirë platformat online dhe motorët e kërkimit, duhet të raportojnë për fondet që marrin nga reklamat shtetërore si dhe për mbështetjen financiare të shtetit. Parashikohet krijimi i një Këshilli Evropian të Shërbimeve Mediatike, i cili do të jetë ligjërisht dhe funksionalisht i pavarur nga Komisioni dhe i aftë të veprojë në mënyrë të pavarur, si dhe një "grup ekspertësh" të pavarur që përfaqëson sektorin e medias dhe shoqërinë civile për të këshilluar këtë këshill të ri.

Komisionerja Evropiane për Transparencën dhe Vlerat Věra Jourová:

Po, ne kemi nevojë për këtë akt të lirisë së medias, sepse nuk duam të biem në situatën në të cilën kam jetuar 25 vjet gjatë regjimit komunist - një vend, një parti, një doktrinë dhe një monopol shtetëror mbi informacionin. Kjo nuk do të ndodhë në BE. Mendoj se akti i lirisë së medias është një zgjidhje dhe mjet shumë i mirë kundër kësaj.

Vladimír Bilčík është një eurodeputet sllovak nga Partia Popullore Evropiane. E pyetëm si e sheh këtë Akt të Lirisë së Medias pas rezultateve të zgjedhjeve në vendin e tij, ku fitoi kandidati pro Putinit Robert Fico:

Vladimír Bilčík, foto: Facebook/ Vladimír Bilčík

Po e shoh si një mesazh dhe një hap shumë të rëndësishëm. Shpresoj se në javët e ardhshme do të arrijmë një marrëveshje me Këshillin e BE-së në mënyrë që të kemi legjislacionin në fuqi në këtë fushë sa më shpejt të jetë e mundur. Gjithashtu mendoj se është koha e duhur për të reaguar ndaj rezultateve të zgjedhjeve në Sllovaki. Ato u fituan nga Robert Fico, një ish-kryeministër socialist, i cili bashkë me qeverinë e tij kontribuoi shumë për krijimin e një mjedisi ku kishte sulme të shpeshta ndaj gazetarëve, të cilët spiunoheshin dhe monitoroheshin. Fico përdorte, sidomos rreth fushatës së tij, shumë dezinformata, gënjeshtra dhe propagandë ruse. Fatkeqësisht, vendi im është shumë i prekshëm ndaj saj. Fico dhe kolegët e tij u bënë motori i saj. Prandaj, ne duhet të forcojmë median e lirë dhe të pavarur, dhe Akti i Lirisë së Medias mund të kontribuojë ndjeshëm në këtë qëllim. Mund të na ndihmojë të luftojmë dezinformimin përmes punës së gazetarëve që raportojnë informacione të besueshme. Kjo është pikërisht ajo që na duhet tani në Evropë. Na duhet sigurisht e njëjta gjë në ditët, javët dhe muajt në vijim në Sllovaki, pasi ka shumë gjasa që Fico të formojë një qeveri që nuk do të ngurrojë sërish të sulmojë parimet e shtetit ligjor, hapësirës mediatike dhe medias së lirë, të organizatave joqeveritare, të shoqërisë civile, si dhe ta ndryshojë në mënyrë radikale politikën sllovake në lidhje me Ukrainën, kryesisht në harmoni me propagandën ruse.”

Si do ta ndihmojë konkretisht ky akt Sllovakinë?

“Duke na mundësuar të krijojmë një mjedis më të mirë, më të drejtë, më të shëndetshëm dhe më të sigurt për mediat dhe gjithashtu për diskutime publike dhe politike gjatë fushatave politike. Fatkeqësisht, gjatë viteve ne kemi qenë të ekspozuar ndaj një fushate dhe ndërhyrjeje të vazhdueshme dhe në rritje nga jashtë, një sasi e madhe dezinformimi dhe propagande vinte veçanërisht nga Federata Ruse. E kam fjalën për rajonin tonë në Evropën Qendrore. Përveç kësaj, peizazhi mediatik ka ndryshuar rrënjësisht. Sot, shumë kanale përdorin platforma online për të shpërndarë lajmet, por këto platforma nuk mund të garantojnë përmbajtjen e besueshme të medias dhe gazetarinë e lirë. Shumë shpesh, dezinformatat, lajmet bombastike dhe madje edhe gënjeshtrat përhapen shumë më shpejt.

Çfarë në këtë akt mund të kufizojë seriozisht përhapjen e dezinformatave?

“Ne i detyrojmë platformat të ndajnë me ne të dhëna të detajuara se si ato luftojnë përhapjen e dezinformatave. Ato nuk janë të paligjshme dhe për këtë arsye ne përpiqemi që ato të mos përhapen kaq shpejt dhe në kurriz të informacionit të besueshëm. Pra, ne po përpiqemi të bëjmë kështu që platformat të ndryshojnë modelin e tyre të biznesit. Këtu Akti i Lirisë së Medias plotëson Aktin e Shërbimeve Digjitale. Nëse platformat nuk e ndajnë siç duhet këtë informacion me ne, do të përballen me mundësinë e humbjes së 6 për qind të xhiros vjetore në formën e gjobave, të cilat sipas ligjit të shërbimeve digjitale mund të arrijnë në miliarda euro. Një gjë tjetër - platformat nuk do të jenë në gjendje të shkarkojnë përmbajtje të besueshme. Imagjinoni që dikujt si Elon Musk nuk i pëlqen që disa media e kritikojnë dhe vendos ta heqë këtë menjëherë nga platforma e tij X. Ajo që kemi si klauzolë mbrojtëse në Aktin e Lirisë së Medias është një periudhë 24-orëshe në të cilën platformat duhet të bien dakord me ofruesit.

Si mund të ndihmojnë konkretisht këto ndryshime vende si Hungaria dhe si Bullgaria, e cila është veçanërisht e ndjeshme ndaj propagandës ruse?

Po, ky është një aspekt shumë i rëndësishëm dhe i veçantë për vende si Hungaria, por edhe si Polonia, ku mediat publike kontrolloheshin kryesisht nga shumica në pushtet. Kjo në njëfarë mënyre do të ndihmonte edhe Bullgarinë, e cila po përballet me sfida serioze sa i përket medias, përfshirë këtu dhe renditjen e ulët sipas Reporterëve pa Kufij. Sllovakia është aktualisht në një pozicion të mirë - e 17-ta në botë, por kur njerëz si Fico vijnë në pushtet dhe përpiqen të marrin hapësirën publike dhe ta vënë veten mbi ligjin, shpresoj se ky akt është një mbrojtje kundër ndryshimeve serioze në peizazhin mediatik. Është e rëndësishme për Hungarinë që të zbatohet. Kjo nënkupton masa mbrojtëse shtesë, kontrolle dhe një mundësi për rregullatorin evropian për të monitoruar peizazhin mediatik në Hungari. Pra, ai jep mjete shtesë monitorimi në vendet ku liderët po përpiqen të marrin kontrollin e plotë të medias.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva

Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një shoqatë e re, një shpresë e re për njerëzit e rajonit të Gollobordës

Data 24 shtator shënoi krijimin e një shoqate të re bullgare në Shqipëri “Shoqata për Identitetin Bullgar” . Ajo u regjistrua sipas legjislacionit shqiptar në qytetin e Tiranës me drejtues Besim Muça.    Besimi ka lindur në fshatin Orzhanovë..

botuar më 24-10-21 3.10.MD

Me një “Festë e dinozaurëve për fëmijë ” mbledhin fonde për Qendrën e Shpëtimit të Breshkave

Një shfaqje argëtuese "shkencë" për fëmijët iu kushtohet dinozaurëve. Ajo do të mbahet për një qëllim bamirësie - në mbështetje të Qendrës së Shpëtimit të Breshkave në fshatin Banja pranë zonës së mbrojtur të Detit të Zi Irakli. Kodi i veshjes..

botuar më 24-10-20 9.10.PD

Një spektakël diellor mund të shihet në Observatorin Astronomik të qytetit Kërxhali

Observatori Astronomik me Planetar "Sllavej Zllatev" në qytetin Karxhali hapi "hyrjen e lirë" me rastin e festës së qytetit - 21 tetorit. Nëse moti e lejon, vizitorët mund të vëzhgojnë Diellin dhe njollat ​​e diellit - shpjegon drejtori i..

botuar më 24-10-20 6.15.PD