Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Zgjedhjet për pushtetin vendor 2023

Si i zgjedhim kryebashkiakët tanë

Zgjedhjet përmes shikimit të intelektualëve

Foto: pexels

Pas raundit të parë të zgjedhjeve për pushtetin vendor, janë të qartë vetëm 8 prej kryetarëve të bashkive të qyteteve rajonale në vend. Në të gjitha 19 qytetet e tjera rajonale, duke përfshirë tre më të mëdhenjtë – Sofjen, Plovdivin dhe Varnën, një raund i dytë pason më 5 nëntor. Edhe pse pushteti vendor është ai tek i cili qytetarët kanë aksesin më të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problemeve, pjesëmarrja në zgjedhje në raundin e parë nuk ishte e lartë (44.94%). Për shembull, në Sofje, një qytet me një popullsi prej rreth 2 milionë banorësh, afro 378 000 zgjedhës dolën për të votuar të dielën - një numër afërsisht i barabartë me numrin e njerëzve që jetojnë vetëm në një nga lagjet e mëdha të kryeqytetit.

Që në fillim të fushatës parazgjedhore, u bë e qartë se do të vëzhgojmë një betejë të vështirë për t'u parashikuar për postin e kryetarit të bashkisë së Sofjes mes njerëzve që janë të rinj në politikë. Pjesa më e madhe e 22 kandidatëve të nominuar për raundin e parë në kryeqytet ishin përfaqësues nga biznesi, qarqet mediatike dhe muzikore, sektori joqeveritar e deri tek sindikatat.

Votuesit aktivë me arsim të lartë dhe status të lartë shoqëror dolën për të votuar në raundin e parë dhe në praktikë ata përcaktuan se kush do të shkojë në balotazh në kryeqytet - tha sociologia Janica Petkova nga agjencia “Gallup International” për Radion Kombëtare Bullgare (BNR):

Janica Petkova

“Bënë përshtypje se për të votuar dolën grupmoshat aktive nga 30 deri në 60 vjeç. Është gjithashtu e dukshme se personat që votojnë rregullisht në zgjedhjet parlamentare, këtë herë preferuan të qëndrojnë në shtëpi. 75% e atyre që votuan në zgjedhjet për kryetar komune në Sofje janë me arsim të lartë dhe gjysmë të lartë.”

Sociologët nuk përjashtojnë një votë strategjike, d.m.th. njerëzit të votojnë jo për atë që e pëlqejnë, por kundër kandidatit të cilin me siguri që nuk e duan të jetë kryetar bashkie.

Një sondazh i Radio Bullgarisë tregon se si mendojnë qytetarët aktiv të cilët interesohen për menaxhimin e Sofjes.

“Nuk mendoj se “të gjithë janë maskara”, siç themi shpesh në Bullgari” – thotë Dimitër Kenarov, gazetar dhe shkrimtar i njohur, banor i kryeqytetit:

Dimitër Kenarov

"Mendoj se kjo që është më e rëndësishme se politika, është ajo që bëjmë në nivel lokal, në oborrin tonë, në komunitetin ku jetojmë. Kjo është ajo që është shqetësuese, që na mungon ndjenja e komunitetit, e hapësirës së përbashkët dhe kjo ekziston për një kohë të gjatë. Duhet të jemi më socialë. Duhet ndihmuar gjithmonë më i dobëti në një shoqëri, jo mekanizmat e tregut dhe konsumi të përcaktojnë çdo veprim tonë.Gjëja tjetër që duhet të ndryshojmë është qëndrimi ndaj punës sonë. Jemi pak dembel ndonjëherë dhe kjo ndihet në çdo sferë. Nëse secili prej nesh e trajton punën që bën me pak më shumë dashuri dhe vëmendje, atëherë gjërat do të shkojnë më mirë.”

“Zhvillimi i qëndrueshëm është një varg paqëndrueshmërie” - thotë Vjara Gançeva, sociologe nga Akademia Bullgare e Shkencave dhe lektore në Universitetin e Sofjes:

Vjara Gançeva

“Para kohe thoshim se kandidati i mirë për kryetar komune është një person me cilësi – vendas, i denjë dhe i njohur. Të jesh vendas nuk është më aq rëndësishëm, sepse edhe njerëzit nga jashtë mund t’u japin zgjidhje problemeve të qytetit ku vijnë, por është e rëndësishme që të jetë i denjë dhe i famshëm sepse miratimi, siç argumentojmë ne sociologët, është gjithashtu një funksion i popullaritetit. Njerëzit që na qeverisin duhet të kujdesen për të mirën e përbashkët dhe çfarë të japin më shumë sesa çfarë të marrin. Problemi tani është se ne kemi një elitë thithëse. Në librin e tij “Pse dështojnë kombet?” Daron Axhemogllu përgjigjet se dështimi është pikërisht për shkak të elitës thithëse, ajo që privatizon fitimet dhe nacionalizon humbjet. Prandaj, pushtetarët që duhet të kërkojmë duhet të jenë njerëz që kontribuojnë për shoqërinë, jo për veten e tyre.”

Sipas Prof. Budin Mihov, i njohur për punën e tij në fushën e kimisë dhe mjekësisë, vendi i shkencëtarit nuk është në politikë. Ai thotë se një shkencëtar i vërtetë nuk kërkon famë, por i takon pushtetarëve që të krijojnë kushte të mira pune dhe besim për ata që i janë përkushtuar shkencës, në mënyrë që shkenca të kontribuojë për shoqërinë tonë:

Prof. Budin Mihov

"Përndryshe, ndryshimi duhet të vijë nga vetë bullgari. Ai duhet të ketë më shumë vetëbesim dhe të dijë se gjithçka varet nga ai, të mos lejojë që të mashtrohet dhe të mos tregojë naivitetin e tij të natyrshëm. Bullgari duhet të bëhet më aktiv dhe duhet të fillojë vetë të marrë vendimet e rëndësishme.”


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova 

Foto: Pexels, Gallup International, Facebook / Dimitër Kenarov, BGNES, Gergana Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Të rinjtë bullgarë fituan medalje nga Olimpiada Ndërkombëtare e Kimisë

Nxënësit bullgarë u kthyen në shtëpi me një komplet të plotë medaljesh pas një paraqitjeje të shkëlqyer në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë Mendeleev në Kinë. Në konkurrimin e 151 pjesëmarrëse nga 26 shtete, ata fituan medalje ari, argjendi dhe..

botuar më 24-04-30 5.59.MD

Me çfarë do të hyjë në histori Parlamenti Evropian në largim?

Seanca plenare e lamtumirës e Parlamentit të nëntë Evropian (PE) kaloi nën shenjën e fushatës së ardhshme zgjedhore për Parlamentin e radhës”, tha gazetarja e programit “Horizont” të BNR Tanja Millusheva , e cila vizitoi për herë të parë organin..

botuar më 24-04-30 5.09.MD

Donacion nga Bullgaria për bullgarët në Prespën e Vogël

Një tjetër donacion të madh për rajonin e Prespës së Vogël të Shqipërisë, ku jetojnë edhe njerëz me rrënjë bullgare, bëri Fondacioni “Kujtesa Bullgare”. Pas kërkesës së kryetarit të Komunës Pustec Pali Kolevski dhe nënkryetarit Jani Nikolla,..

botuar më 24-04-30 4.41.MD