Lidhur me miratimin të mërkurën e kaluar të përbërjes së re të Komisionit Evropian, i cili zyrtarisht mori detyrën para disa ditësh, iu kushtua më pak vëmendje një ngjarjeje tjetër të rëndësishme të së njëjtës ditë - miratimit të buxhetit të Bashkimit Evropian për vitin e ardhshëm, i cili nuk ka të bëjë vetëm me mjetet financiare, por edhe me politikat. Çfarë drejtimesh të zhvillimit vendos dhe cila është rëndësia e tij për Bullgarinë?
Raportuesi kryesor për buxhetin 2025 të Bashkimit Evropian - eurodeputeti rumun nga grupi i "Socialistëve dhe Demokratëve" Victor Negrescu, i cili është edhe nënkryetar i Parlamentit Europian, përmbledh se për çfarë pjese do të shpenzohen nga afro 200 miliardë euro të buxhetit të përgjithshëm:
“Kemi arritur të shtojmë 422 milionë euro për arsimin dhe të rinjtë. Programi Erasmus+ do të ketë në total 4 miliardë e 300 milionë euro. 45 milionë euro për kërkimin, inovacionin dhe kujdesin shëndetësor, 13 milionë euro për bujqësinë dhe konkretisht për fermerët e rinj, që do të thotë gjithsej 39 miliardë e 900 milionë euro për Fondin Evropian të Garancisë Bujqësore, 5 milionë euro për mjedisin, biodiversitetin dhe aktivitetet e lidhura me klimën, 10 milionë euro për menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së dhe veçanërisht për zgjerimin e zonës Shengen me Rumaninë dhe Bullgarinë, 6 milionë euro për lëvizjen ushtarake, 50 milionë euro për ndihmë humanitare.”
Buxheti është rritur, falë kursimeve të periudhave të mëparshme. Një ndihmë shtesë është ajo për fatkeqësitë:
“Ne po përpiqemi të ndihmojmë bashkatdhetarët tanë evropianë të prekur nga përmbytjet, thatësirat dhe zjarret. Deri në 3 miliardë euro do të jenë në dispozicion për të mbështetur rajonet e prekura nga fatkeqësitë natyrore. Këtu e kam fjalën për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe, natyrisht, miqtë tanë nga Spanja.”
Buxheti europian për vitin e ardhshëm u miratua me 418 vota “pro”, 185 vota “kundër” dhe 67 vota “abstenime”. Ky proces nuk është thjesht një formalitet, theksoi Victor Negrescu:
“Në kohë tranzicioni institucional, krizash sociale dhe realitetesh komplekse gjeopolitike në shumë zona të botës, buxhetet janë shpesh në qendër të konflikteve politike. Qeveritë dhe koalicionet lëkunden në betejat e tyre për prioritetet për shpenzimet, por ne arritëm të mbetemi të bashkuar.”
Ndryshe nga buxhetet kombëtare, buxheti i BE-së është i fokusuar kryesisht në investime për të gjeneruar rritje dhe mundësi në të gjithë Bashkimin Evropian.
Një pikë e rëndësishme e çështjes së buxhetit të BE-së është se pagesat pritet të vazhdojnë sipas planeve kombëtare të rimëkëmbjes dhe qëndrueshmërisë, nga të cilat Bullgaria ka marrë vetëm një, ndërsa shumica e vendeve kanë paraqitur tashmë kërkesat e tyre për një pagesë të katërt ose të pestë. Kujtoj se ato janë në formën e kredive dhe granteve për të mbështetur reformat dhe investimet e ndërmarra nga shtetet anëtare.
Buxheti i Bashkimit Evropian për vitin e ardhshëm është pothuajse 200 miliardë euro - në sfondin e 450 milionë njerëzve dhe 27 ekonomive, a është kjo shumë, a është pak, apo mjafton? Ekonomisti Rumen Gëllëbinov përgjigjet:
“Buxheti për vitin e ardhshëm i Bashkimit Evropian është 6% më shumë se buxheti i vitit të kaluar. Ky është buxheti i pestë radhazi në programin kuadër shumëvjeçar 2021-2027. Ai pasqyron gjerësisht prioritetet e Komisionit të ri Evropian. Dhe ato janë në disa drejtime kryesore, të cilat në përgjithësi janë ruajtur nga ato që ishin deri tani. Vazhdon financimi nga buxheti i Tranzicionit të Gjelbër, si dhe transformimi dixhital. Tani po ndahen dhe po drejtohen pak më shumë para për tejkalimin e pasojave të fatkeqësive natyrore si pasojë e ndryshimeve klimatike që kanë ndodhur në botë dhe që kanë ndikuar dhe shkaktuar pasoja negative për vendet e Bashkimit Evropian. Përveç kësaj, paratë e nevojshme ndahen, natyrisht, për të përmirësuar konkurrencën e ekonomive evropiane – diçka që pasqyrohet në raportin e Mario Draghit në drejtim të inovacionit, konkurrencës dhe një pozicioni më të mirë të Bashkimit Evropian në tregun ndërkombëtar teknologjik. Programet dhe fondet e votuara për planet kombëtare të rimëkëmbjes dhe qëndrueshmërisë po vazhdojnë, diçka që prek në masë të madhe Bullgarinë, pasi vitin e kaluar nuk kemi marrë asnjë fond. Kemi marrë vetëm një pagesë, e cila ka qenë në fund të vitit 2022 për 1 miliard e 369 milionë euro. Atëherë duhet të kishim marrë vitin e kaluar një pagesë të dytë për 724 milionë euro, të cilën nuk e morëm fare. Shpresoj se do të bëjmë çmos që të paktën të marrim këtë pagesë të dytë të vonuar nga viti i kaluar ose një pjesë të saj sipas Planit tonë Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë. Për vitet në vijim, edhe për vitin 2025, duhet të thithim para sipas këtij plani, duke vazhduar në fakt këto financime në kuadrin e paketës së votuar NextGenerationEU. Bullgaria duhet të gjejë mundësi dhe kapacitet për të absorbuar pagesat e saj.”
Ju e keni paramenduar disi pyetjen time, por unë do të pyes gjithsesi - Bullgaria ka marrë vetëm një pagesë sipas Planit të saj të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë - a mund të bëjmë kërkesa për pagesa të mëtejshme në eurobuxhetin për vitin e ardhshëm?
“Po, sigurisht. Ne e rezervojmë të drejtën dhe i kemi të rezervuara këto fonde, por duhet pasur parasysh se horizonti për thithjen e këtyre parave është viti 2026, ndaj nuk kemi shumë kohë. Deri më tani kemi marrë një pjesë të vogël të mjeteve. Shpresoj t'i marrim të tjerët. Ekziston gjithashtu mundësia që Komisioni Evropian të zgjasë afatin e asimilimit përtej 2026 për vende si ne. Por ende nuk dihet nëse kjo do të ndodhë.”
Në buxhet nuk bëhet fjalë vetëm për paratë, por edhe për politikat - çfarë drejtimesh vendos ky buxhet?
“Në total, në vlerë absolute, buxheti për vitin e ardhshëm është rreth 10 miliardë euro më shumë. Këto para, natyrisht, janë të siguruara dhe të planifikuara dhe për këtë është kujdesur edhe përbërja e mëparshme edhe ajo aktuale e Komisionit Evropian. Ka miratim edhe nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës, ndaj kemi një vazhdimësi të garantuar të financimit, si për programet e kohezionit, ashtu edhe për politikën e konvergjencës dhe afrimit me vendet e tjera të BE-së. Është shumë e rëndësishme për ne që të marrim konfirmimin, fjalë për fjalë brenda pak ditësh, pas anëtarësimit tonë të plotë në zonën Shengen. Dhe më pas për të arritur qëllimin tonë tjetër madhor gjeo-ekonomik dhe strategjik – anëtarësimin në Eurozonë, i cili mund të ndodhë ose nga mesi i vitit të ardhshëm ose më së voni nga fillimi i vitit 2026.”
A shihni në buxhetin e ri të BE-së zgjidhje për problemet më të mëdha, të cilat përfshijnë dobësimin e ekonomisë dhe luftën në Ukrainë?
“Buxheti është në përputhje me përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar konkurrencën e ekonomisë evropiane. Gjithashtu, do të ketë fonde për forcimin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe minimizimin e pasojave negative të migracionit të paligjshëm. Do të ketë fonde shtesë për kujdesin shëndetësor, arsimin, sferën sociale të shteteve. Natyrisht, lufta në Ukrainë është diçka që është në fokus të veçantë dhe shpresojmë që ajo të mos zgjasë shumë dhe të arrihet një zgjidhje që do të kënaqë vendet e Bashkimit Evropian, si dhe do të japë një pasqyrë më të qartë të mundësisë që Ukraina të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, ka edhe vende të tjera që po aplikojnë për anëtarë të rinj - Moldavia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi. Të gjitha këto janë gjëra që vazhdojnë sipas kalendarit tashmë të planifikuar për zbatimin e anëtarësimit të tyre. Edhe buxheti është në përputhje me këto pritshmëri.”
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Ekipi i shkollës së mesme të dytë angleze në Sofje “Thomas Xhefersën” fitoi Konkursin e Gjashtë Evropian të Drejtësisë për nxënës, i cili u mbajt në Rumani, njoftoi Ministria e Arsimit. Në konkurs, nxënësit bëjnë një simulim të procesit gjyqësor mbi..
Qendra Kombëtare për Kërkime Polare dhe Instituti Bullgar i Antarktidës organizojnë një takim ndërkombëtar me rastin e Ditës së Antarktidës. Më 3 dhjetor shënohen 65 vjet nga nënshkrimi i Traktatit të Antarktidës. Veprimtaria, që do të mbahet në..
Modernizimi i aftësive të të menduarit kritik, verifikimi i fakteve dhe shkrim-leximi mediatik janë thelbësore për shoqërinë, veçanërisht për të rinjtë në Bullgari - vendi me një nga indekset më të ulëta të shkrim-leximit mediatik në BE , njofton..
Ekipi i shkollës së mesme të dytë angleze në Sofje “Thomas Xhefersën” fitoi Konkursin e Gjashtë Evropian të Drejtësisë për nxënës, i cili u mbajt në..
Qendra Kombëtare për Kërkime Polare dhe Instituti Bullgar i Antarktidës organizojnë një takim ndërkombëtar me rastin e Ditës së Antarktidës. Më 3..