Bashkimi Evropian mund të luajë një rol kyç në rindërtimin e Lindjes së Mesme pas përfundimit të konfliktit, i cili u përshkallëzua saktësisht një vit pas sulmit të Hamasit në Izrael, në të cilin mijëra u vranë dhe qindra u morën peng nga grupazhi në Rripin e Gazës.
Kështu parashikon për BNR eksperti i organizatës joqeveritare “Instituti i Shoqërisë së Hapur” Marin Lesenski, sipas të cilit do të përballemi me një valë të re refugjatësh, e cila mund të prekë edhe Bullgarinë, nëse kalon përmes Turqisë në Evropë.
Sipas tij, është i mundur edhe shtrëngimi i politikës së migracionit në Austri për shkak të kërcënimeve të partive që mblodhën më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare në vendin, i cili ende zyrtarisht është kundër anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen nga toka, me pretekstin se përmes nesh po kalon një fluks i madh refugjatësh.
A kemi një shans për anëtarësimin tonë të plotë në zonën Shengen?
Kjo mund të bëhet e qartë këtë javë pas Këshillit të Bashkimit Europian, në të cilin do të diskutohet gatishmëria e vendit tonë, por edhe e Rumanisë, për Shengenin tokësor. Austria do të përfaqësohet në të nga një ministër në detyrë i emëruar nga presidenti, i cili është "pro" vetos së vendosur nga Vjena ndaj Sofjes dhe Bukureshtit për këtë temë.
Por, megjithatë, ka shpresë, sipas ekspertit të politikave evropiane Marin Lesenski nga “Instituti i Shoqërisë së Hapur”:
"Kishte sinjale të tilla se Bullgaria dhe Rumania do të merrnin një "dritë jeshile". Holanda vendosi të heqë veton e saj ndaj Bullgarisë - pikërisht kur qeveria largohej. Kështu që tani ndoshta do të ndodhë i njëjti skenar - pak para se të vijë në pushtet qeveria e re (në Austri), të vendosin për heqjen e vetos”.
Analistët jashtë Bullgarisë shohin një tjetër faktor heqjen e vetos - Komisioneri i ri Evropian për Migracionin.
“Në seancën e ardhshme të Magnus Brunner, një nga temat kryesore sigurisht që do të jetë zgjerimi i Shengenit. Por kandidati për Komisioner Evropian e di që duhet ta lërë pas kombësinë, për të qenë para së gjithash evropian”, shpjegoi drejtori i Institutit Austriak për Politikat Evropiane, Paul Schmidt, në një intervistë për programin “E shtuna 150" në programin "Horizont" të BNR:
“Bruner ka lidhje të qëndrueshme në “Partinë Popullore” dhe ndoshta do t'i përdorë ato për të përshpejtuar vendimin evropian për heqjen e vetos, sepse kriteret për anëtarësimin e plotë të Bullgarisë dhe Rumanisë në Marrëveshjen Shengen prej kohësh janë përmbushur”, tha Schmidt.
"Unë pres që ai të vërë në lëvizje zgjerimin e Shengenit, i cili kalon përmes eliminimit të vetos austriake. Zgjidhja aktuale me të ashtuquajturin “Shengen ajror" nuk është aspak e suksesshme dhe është në dëm të qytetarëve bullgarë dhe rumunë që udhëtojnë përmes kufijve tokësorë”, theksoi sërish ekspertja e migracionit Dr. Judith Kolenberger:
"Biznesi - si në Bullgari dhe Rumani, ashtu dhe në Austri, po vuan gjithashtu. Investitorët austriakë ankohen për humbje ekonomike dhe dëmtim të reputacionit për shkak të vetos," vuri në dukje ajo.
Marin Lesenski ndan mendimin e saj:
“Në fund të fundit, kjo është në dobi të Austrisë, pasi ajo është një vend mjaft i afërt, me interesa shumë serioze biznesi pikërisht në rajonin tonë. Është një nga vendet që ka investuar më shumë në Evropën Juglindore dhe në fakt kufijtë e hapur tokësorë do të jenë në dobi të biznesit austriak, i cili mendoj se tashmë ka lobuar pikërisht për hyrjen e plotë të Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen - ata kanë investime, kanë tregti, kanë prodhim në të dy vendet, kështu që kjo do të jetë në dobi të Austrisë, e cila, meqë ra fjala, është në një krizë ekonomike dhe mjaft serioze.”
Dhe çfarë po ndodh në vetë Austrinë?
Shkurtimisht: Presidenti Alexander van der Bellen po zhvillon bisedime me liderët e partive që do të jenë pjesë e parlamentit të ri, zgjedhjet për të cilin u fituan nga ekstremi i djathtë "Partia Austriake e Lirisë " e Herbert Kickl, i cili konsiderohet si kancelari i re i së ashtuquajturës “Fortesa Austria”, siç e quajti vetë ai.
Mirëpo, votat e dyta - konservatorët në pushtet deri tani nga "Partia Popullore" e kancelarit aktual Karl Nehammer - duan që Kickl të mos jetë pjesë e kabinetit. Një javë më parë, edhe formacionet e tjera që hynë në parlament - Partia Social Demokrate, NEOS (Austria e Re dhe Forumi Liberal) dhe “Të Gjelbërit” u deklaruan kundër një koalicioni me të djathtën ekstreme.
Megjithatë, si e zakonshme mes të pesëve, mund të vëmë në dukje idenë e tyre rrënjësisht të ndryshme për temën e emigracionit.
“Vonesa e Bullgarisë dhe Rumanisë për të hyrë në Shengen ndodhi pikërisht në qeverinë që është ende në pushtet, sepse ata iu nënshtruan presionit publik për t'u dukur të ashpër pikërisht në valën e migrimit. Le të kujtojmë se atëherë duhej të anëtarësoheshin në Shengen Kroacia, Rumania dhe Bullgaria. Për arsye të ndryshme, ata i thanë po Kroacisë, por vendosën veto ndaj Bullgarisë dhe Rumanisë pikërisht për t'u dukur të ashpër sa i përket migrimit dhe mbrojtjes së kufijve” – tha Lesenski.
Dhe tani për të ardhmen e Vjenës - sipas ekspertit, ka dy skenarë për koalicione përpara "Partisë së Lirisë":
“Njëri është me “Partinë Popullore Austriake” konservatore, me të cilën ka pozita të përbashkëta pikërisht për çështjet e migracionit, por jo plotësisht. Shtrohet pyetja nëse do të respektohet kushti i partnerit të ardhshëm që kreu i partisë fituese të mos marrë pjesë në qeveri. Kjo është vija e kuqe definitive dhe opsioni tjetër është të përpiqen të bëjnë një lloj qeverie mes socialdemokratëve dhe ndoshta liberalëve. Arsyeja – deri më tani “Partia Popullore” në fakt ishte në një koalicion me të Gjelbërit, gjë që nuk funksionoi shumë mirë”, parashikoi eksperti.
“Gjëja tjetër është ndoshta ndikimi i presidentit të vendit, i cili tashmë ka deklaruar se nuk do t'i japë mandat për të formuar një qeveri partisë fituese nëse lideri i saj kandidon për pjesëmarrje në qeveri, por kjo është shumë personale – ai mund të zëvendësohet”, tha gjithashtu Lesenski.
Një vështrim edhe në të kaluarën - si u arrit në fitore të partisë më me përvojë prej partive populiste të krahut të djathtë dhe çfarë përfundimesh mund të nxjerrim?
"Ne shohim një vazhdimësi të valës së ekstremit të djathtë në disa vende të Evropës - Holandë, Sllovaki dhe madje së fundmi ngritjen e “Alternativës për Gjermaninë”, kështu që për mua ky është përfundimi kryesor. E dyta është se këto parti ndjekin pothuajse të njëjtën axhendë – problemet me migracionin, me azilkërkuesit, dhe ato janë kryesisht pro-parti që nuk mbështesin qëndrimin kryesor evropian në mbështetje të Ukrainës, parti të cilat në një masë të madhe u mobilizuan në të vërtetë gjatë pandemisë Covid-19, duke u deklaruar kundër vaksinimit dhe kundër masave anti-epidemike. Falë kësaj, mund të shpjegohet edhe suksesi i tyre”, shpjegoi eksperti Marin Lesenski, me të cilin u pajtuan presidenti i Institutit Austriak të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Wolfgang Petrich dhe Andis Kudors nga Universiteti i Letonisë.
“Pandemia Covid-19 dhe mënyra se si qeveria e trajtonte, ose më mirë nuk e trajtonte atë, ndryshoi qëndrimin e njerëzve ndaj shtetit, i cili perceptohej gjithnjë e më shumë si një shtypës. Kjo padyshim që i shpërbleu Partisë Austriake të Lirisë, por sigurisht këtu kemi edhe një tendencë panevropiane”, tha Wolfgang Petrich, cituar në një material të redaksisë ndërkombëtare të “Euranet Plus”.
“Qytetarët e disa vendeve evropiane janë të pakënaqur me punën e qeverive të mëparshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për migracionin. Jemi dëshmitarë të krijimit të enklavave të veçanta dhe popullatës vendase po i bëhet thirrje të përshtatet me të sapoardhurit”, shtoi Andis Kudors në një intervistë përsëri atje.
Çfarë do të jetë ndikimi i disa ndryshimeve të deritanishme në politikën e migracionit - për ata që janë tashmë në vend dhe, në përputhje me rrethanat, për ata që duan të hyjnë në Austri?
"Partia fituese e ekstremit të djathtë ka pozicione të forta. Ata flasin për riemigrimin, d.m.th për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm që nuk kanë të drejtë azili në vendet nga kanë ardhur; shtrëngim të regjimit në përgjithësi - për të marrë azil, për marrjen e shtetësisë nga ata që janë tashmë në vend. Tani duhet të shohim nëse kjo do të ndodhë,” tha eksperti nga “Instituti i Shoqërisë së Hapur”.
Sipas tij, do të ketë "forcim të regjimit të migracionit në të gjitha rastet, gjë që ndoshta do të ndikojë negativisht në dëshirën e Bullgarisë për t'u bashkuar me Shengenin".
Sipas fjalëve të tij, duhet të merret parasysh edhe Pakti i Migracionit dhe Azilit:
“Pritet që Pakti i Migracionit do ta qetësojë opininon publik në njëfarë mënyre, mendoj se ai do të hyjë në fuqi në mes të vitit 2026, kështu qe ka pothuajse dy vjet dhe nuk e di nëse kjo reformë do të qetësojë situatën. Këtu do të përmend edhe zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, të cilat do të ndikojnë në Evropë.”
Pakti është një mjet më i përshtatshëm për frenimin e migracionit të paligjshëm sesa Shengen, sipas Dr. Kolenberger. Është ai që parashikon një shpërndarje solidare të njerëzve në të gjitha vendet anëtare.
“Më shumë se gjysma e statuseve të refugjatit në 10 vitet e fundit janë dhënë në Austri dhe Gjermani. Fakti që vendet e tjera evropiane refuzojnë të marrin pjesë në shpërndarjen solidare të emigrantëve – Hungaria as nuk i lejon fare kërkesat për azil – do të thotë se presioni do të mbetet kryesisht mbi të njëjtat vende të BE-së. Kjo çon në një shtrëngim të kontrolleve kufitare dhe një përkeqësim të kushteve për refugjatët”, kujtoi eksperti i migracionit, ndërsa politologja Dr. Katrin Steiner-Hemmerle vuri në dukje se është e mundur që pikëpamjet e Herbert Kickl të jenë ekstreme “vetëm në letër”:
"Nëse i marrim seriozisht deklaratat e tij në mitingje, atëherë Austria do të pozicionohet pranë Hungarisë dhe Viktor Orbanit. “Partia e Lirisë”, për shembull, po bën thirrje për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian (kundër Rusisë), një kuotë emigracioni zero, një ndalim absolut i azilit dhe mbyllja e kufirit. Kickl i pëlqen të pikturojë një pamje të Fortesës së Austrisë dhe i sheh aleatët e tij kryesisht në Hungari, por le të mos harrojmë se premtimet në fushatën paraelektorale që mund të zbatohen brenda qeverisë janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, tha politologu i cituar edhe në podkastin e përjavshëm të “Euranet Plus Panorama".
E pyetëm gjithashtu ekspertin Marin Lesenski nëse do të ketë një valë të re refugjatësh, duke pasur parasysh përshkallëzimin e fundit të konfliktit në Lindjen e Mesme midis Hamasit dhe Izraelit, i cili mbushi një vit:
"Me shumë mundësi, do të ketë valë të reja destabiliteti. Tashmë ka njerëz të zhvendosur në brendësinë e Izraelit, në territoret palestineze, në Liban. Nëse konflikti zgjerohet në Iran, refugjatët afganë që janë në territorin e vendit ata mund të përpiqen të shkojnë në Perëndim.”
Pasi e përmendët Afganistanin – Gjykata e BE-së vendosi për shkak të refuzimit të azilit nga Austria për dy gra afgane që aplikuan, se vetëm gjinia dhe kombësia janë të mjaftueshme për një vend për të dhënë azil:
“Ky është një rekomandim,përsëri, nën ndikimin e opinionit publik, i cili në fakt është empatik ndaj grave, të cilat janë më të prekurat nga talebanët në Afganistan”, vuri në dukje Lesenski.
Dhe a mund të presim një valë refugjatësh nga Libani?
"Është e mundur sepse ka një popullsi të madhe migrantësh në Liban. Ata janë palestinezë dhe sirianë që nga Lufta Civile Siriane. Ka një numër të madh të atyre që jetojnë atje dhe që janë më të cenuarit kur ka një përshkallëzim të veprimeve ushtarake në Liban. Duke u larguar, ata ndoshta do të shkojnë së pari në Turqi, dhe atëherë pyetja është a do të largohen nga Turqia për në Perëndim, ose ata do të mbeten në vend”.
"Organizatat ndërkombëtare duhet të ndihmojnë. Kjo gjithashtu varet nga sa do të zgjerohet konflikti në Lindjen e Mesme dhe nëse operacioni izraelit në Libanin Jugor do të mbetet i kufizuar," shtoi eksperti.
Si e vlerësoni rolin e Bashkimit Evropian në shtypjen e tensioneve në Rripin e Gazës?
"Bashkimi Evropian miratoi rezoluta, po vepron, por ka shumë pak mundësi ndikimi. Vetë vendet anëtare vendosën që të mos u japin shumë mjete të politikës së jashtme institucioneve në Bruksel. Kështu që, Bashkimi Evropian është më tepër një vëzhgues dhe ai do të luante një rol në një etapë pas konflikteve, kur do të zgjidhen problemet, duke marrë pjesë në rimëkëmbje, në sigurimin e ndihmës humanitare,
e drejtë, më mirë në një gjendje pas konfliktit në të cilën do të zgjidhen problemet, rindërtimi, ndihma humanitare e kështu me radhë."
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e furnizuara nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, shumica janë në mbështetjen e tij. Ai erdhi pak..
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë në Luftën e Parë Botërore (1914-1918). Historianët e përkufizojnë dokumentin si "katastrofa e radhës..
Uzurpimi i trashëgimisë kulturore dhe historike ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pasojat e shumta të pashmangshme të çdo konflikti ushtarak si në të shkuarën, ashtu edhe në ditët e sotme. Deri në përfundim të luftës në Ukrainë, është e pamundur të..
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë..
Uzurpimi i trashëgimisë kulturore dhe historike ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pasojat e shumta të pashmangshme të çdo konflikti ushtarak si në..
Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e..